9 Dhjetori 2018 shënoi ditën e katërt e rezistencës së studentëve para ministrisë së Arsimit.

Studentët protestuan edhe sot, përreth 7 orë me radhë para Ministrisë së Arsimit.

Studentëve nga Universiteti i Tiranës iu bashkuan edhe studentët e Universitetit të Arteve, studentë nga Shkodra dhe Vlora, por dhe qytetarë të thjeshtë.

"Nuk duam rrëzimin e qeverisë, as të ministres duam plotësimin e kërkesave për kushte më të mira në universitete e konvikte, rritje të buxhetit për arsim më cilësor si dhe veting pedagogëve, dhe ulje të tarifave" u shprehën studentët.

Tubimi i sotëm nuk njohu pjesmarrjen e ditëve të tjera për shkak të ditës së pushimit, por studentët premtuan se do të kthehen më të shumtë se asnjëherë të martën.

Kryeministri Rama doli me një ftesë për dialog, live në fb të hënën në 11:00. Por studentët në kor refuzuan çdo lloj negociate, duke kërkuar të plotësojnë listën me 8 kërkesat e tyre.

Studentët nuk duan që protesta e tyre të shfrytëzohet politikisht nga asnjë forcë politike e vendit dhe i bëjnë thirrje protestuesve të mos përçahen, por të jenë të bashkuar.

Ja 8 kërkesat e panegociueshme të studentëve




Ora News transmetoi live në ekran, Facebook dhe YouTube protestën që prej fillimit.


Ora 16:54 Mbyllet protesta, studentët mbledhin mbeturinat

Ora 16:43 Rama i fton në dialog të hënën, studentët refuzojnë

Ora 15:40 Nuk ka orar për mbylljen e protestës

Gazetarja jonë Nertila Dosti raporton se nuk ka ende një orar sesa do të zgjasë protesta.Ka thirrje të vazhdueshme për rezistencë, bashkim dhe mospranim të përfaqësuesve politik.

Ora 15:33: Studentët shpalosin një flamur të madh kuq e zi

Studenti: Nga xhepat e studentëve o horra hiqni duart, ky është dhjetori i dytë dhe sapo ka filluar!

Thirrjet e studentëve në kor: Do dalim në shesh me qindra e mijëra, po nuk ra tarifa do bjerë Ministria!

Ora 15:25 Asnjë tërheqje nga kërkesat

Studenti: Ne nuk tërhiqemi nga kërkesat tona.Në rast se Ministria nuk pranon do të vazhdojmë të kundërshtojmë.

Ora 15:24 Studentët vendosin te kangjellat e Ministrisë listën me kërkesat e tyre

Ora 15:22 Studentët: Përshkallëzojmë protestën, nëse nuk realizohen kërkesat

Studentët vazhdojnë të insistojnë në plotësimin e kërkesave të tyre.

Studenti: Konvikti është baza, po të shikoni ti shihni as shtazët nuk jetojnë aty. Për çfarë të negociojmë.Nuk ka asgjë për të negociuar. Tarifat janë të larta, duhen  përgjysmuar.Karta e studentit mungon, abone studenti nuk ka. Për çfarë të negociojmë?

A do ketë përshkallëzim?

Studenti: Kjo varet nga sjellja e Ministres. Nëse nuk dëgjojnë kërkesat tona mund të ketë përshkallëzim, por këtë do ta vendosim të gjithë.

Studenti: Politekniku doli se ishte Universiteti më i korruptuar në Shqipëri, nuk ka ku të shkojë më keq.

14:40 -Studentja: Nuk synojmë rrëzimin e qeverisë, kërkojmë përmbushjen e kërkesave

Në vijim të protestës prej më shumë se 5 orësh, një studente tha se nuk kërkonin rrëzimin e qeverisë.

"Ne nuk jemi për të rrëzuar qeverinë, ne duam që kërkesat tona të plotësohen. Ne duam që ato të plotësohen edhe të kthehemi në auditore", tha studentja.


13:01 -Studenti: Të martën afati për Nikollën, do jemi mijëra studentë 

Një student i tha mikrofonit të Ora News se të martën do të dalin në protestë mijëra studentë.

Studentit: Studentët e Arteve u bashkuan aty dhe kishin marrë një foni dhe po këndonin himnin. Disa militantë partiakë shkuan aty dhe e uzurpuan mikrofonin. Tani studentët e morën në dorë protestën. Janë 50-60 militantë. I shikoni gjithë studentët; jo partive politike. Gjithë thirrja është që të plotësohen kërkesat tona deri të martën. 

Të martën do të ketë me mijëra dhe mijëra studentët që militantët partiakë të mos kenë mundësi të flasin. Afati të jeni i sigurt se do të jetë të martën. Ministrja do ta kuptojë vetë se të drejtat tona nuk do të ndalen. 


11:43 -Studentët: Të mos politizohet protesta

"Janë ata që na katandisën në këtë gjendje arsimin, dhe konviktet janë në kushte skandaloze", thotë një studente për mikrofonin e Ora Neës

11:31 - Pedagogu i "përjashtuar" nga protesta shpërthen në lot: S'jemi velga të Veliajt dhe Soros

Pedagogu Jani Marka, pjesë e Organizatës Politike shpërtheu në lot përpara gazetarëve pasi u përjashtua nga protesta. 

Ai tha se Organizata e tij ka protestuar edhe për minatorët dhe vdekjen e Ardit Gjoklajt, duke shtuar se akuzohen  si vegla të Erion Veliajt apo të Sorosit.


11:25- Studentët përplasen me pedagogun e Organizatës Politike, i ndërpresin fjalën

Studentët kanë kundërshtuar me forcë marrjen e fjalës së pedagogut Jani Marka, pjesë e Organizatës Politike. 

Studentët kundërshtojnë pjesëmarrjen e pjesëtarëve të kësaj lëvizje në këtë protestë. Studentët i kanë ndërprerë fjalën pedagogut, duke mos e lejuar të flasë atë dhe duke u konfrontuar fizikisht me të.


11:05 - Pankarta: Fillojeni vettingu me këta peshqit e vegjël që na hanë ne

Në një pankartë të madhe të vendosur mbi kangjellat rrethuese të Ministrisë së Arsimit, studentët kërkojnë midis të tjerash ndëshkimin e atyre që ata i quajnë "peshq të vegjël", ndërsa shprehin shqetësime për emërimet e pedagogëve.

10:57 - Studentja: S'ka dialog me Nikollën pa plotësuar të gjitha kërkesat

"Ne nuk jemi vetëm, secili nga ne nga një familjar nga mbrapa. Ne nuk jemi vetëm. Ne nuk duam të dialogojmë me të përpara se të na plotësojë kërkesat. Pasi të na plotësojë kërkesat, zonja Lindita Nikolla të vij të festojë me ne", tha një studente e Juridikut.

10:52 - Protestë masive e studentëve para Ministrisë së Arsimit

"Ne nuk largohemi nga këtu po na u plotësuar kërkesat tona. Në qoftë se kërkesat tona nuk na plotësohen, do të përshkallëzohet protesta.", tha një studentë para Ministrisë së Arsimit.


Zhvillimet hap pas hapi:

10:45 - Protestës i janë bashkuar edhe studentë të Universitetit Bujqësor.

10:40 -Studentët pankartë: Arlind Qori qëndro larg nesh!

Në një pankartë të shpalosur nga studentët i kërkohet pedagogut Arlind Qori që të qëndrojë lart tyre. 

Ora News po e pasqyron live protestën.

09:57 - Studentët janë nisur korpusi në drejtim të Ministrisë së Arsimit.

Studentët janë nisur nga Korpusi i Universitetit Politeknik për të shkuar në drejtim të Ministrisë së Arsimit.


"Të gjithë ata që do të tentojnë të na përçajnë do të marrin përgjigje nga uniteti jonë", tha një student për mikrofonin e Ora News gjatë marshimit në drejtim të ministrisë së Arsimit.


Protestës iu bashkua për pak minuta edhe moderatorja Roza Lati, e cila shprehu mbështetjen për studentët.

Roza Lati: "Bravo. Unë jam pro studentëve, jam dakort me ta. E meritojnë. Ngrejeni zërin që të gjithë."



Deri më tani, studentët kanë kërkuar që mos ketë një drejtues, por organizimi të bëhet nëpërmjet rrjeteve sociale dhe e dyta që të bëhen të dallueshëm nga grupe politike propozojnë që të mbajnë në dorë një shami të kuqe.

"Studentë, të gjithë të bashkuar për të kërkuar me ngulm plotësimin e kushteve! Kush nuk ka mundësi të shkojë të mblidhet pranë fakulteteve të vet, të vijë direkt në ministrinë e Arsimit", thuhet në faqen e facebook-ut të Universiteti.info.

Edhe Lëvizja për Universitet bën thirrje që politika të qëndrojë larg studentëve.

"Studentët në protestë para Ministrisë së Arsimit po përballen me një fushatë të koordinuar dezinformimi dhe orvatjesh për t'i përçarë.Lëvizja Për Universitetin u bën thirrje të gjitha partive politike që të ndalin veprimet përçarëse ndaj studentëve. Edhe më fort se nga ne, thirrja për mospërfshirjen e partive vjen nga mijëra studentë njëzëri. Janë ata që e kanë kuptuar se partitë kanë vetëm një interes: përçarjen e studentëve dhe instrumentalizimin e protestës për agjendat e tyre".

Studentët kanë publikuar axhendën sipas së cilës të gjithë studentët do të mblidhen nëpër fakultetet e tyre nga ora 8:30 deri në orën 9:30 dhe më pas do të nisin marshimin për të qenë në orën 10:00 përpara ministrisë së Arsimit.

Ata përsëritin qëndrimin e tyre, jo negociata, por vetëm plotësim të kushteve.

Ndërkohë nesë pritet që të protestojnë edhe studentët e Universitetit "Eqerem Çabej" në Gjirokastër.  



/Ora News.tv/