Lezhë: Arrestohet autori i dyshuar i vrasjes së rapsodit dhe mikut të tij. Në kërkim i vëllai

Një person është arrestuar ndërsa vëllai i tij është shpallur në kërkim për vrasjen e dyfishtë pasditen e të hënës në Lalm të Vjetër të Lezhës!

Aleksander Përdodaj , 40 vjeç, banues në Lalm, Lezhë, person me precedent kriminal  në fushën e krimeve ndaj personit u prangos nga uniformat blu si autori i dyshuar kryesor për ekzekutimin e shtetasve Prenge Simoni dhe Kol Murrani.

Policia dhe prokuroria bënë të ditur se arrestimi i 40 vjecarit është bërë bazuar në prova të arsyeshme.

''Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, u bë i mundur sigurimi i provave për autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasi  A. P., 40 vjeç, banues në Lalm, Lezhë, person me precedent kriminal  në fushën e krimeve ndaj personit. Bazuar në prova të arsyeshme, Policia bëri kapjen dhe shoqërimin e shtetasit A. P. dhe në përfundim të veprimeve  u bë ndalimi i këtij shtetasi, për veprën penale "Vrasja". Po në lidhje më këtë ngjarje është shpallur në kërkim edhe vëllai i autorit të dyshuar, shtetasi E. P., i cili dyshohet se ka ndihmuar të vëllanë për fshehjen e provave'', njofton policia.

Përdoda njihej edhe kultivues i lëndëve narkotike dhe kishte patur probleme pronësie edhe me banorë të tjerë të fshatit.

Dyshohet se krimi i rëndë ka ndodhur për shkak të konflikteve të vjetra mes palëve, ndërsa objektiv i sulmit ka qenë Kol Murrani.

Ata janë qëlluar me breshëri automatiku nga largësia, ndërsa më pas autori është  afruar dhe i ka qëlluar sërish edhe nga afër.

Simoni e Murrani kishin shkuar në fshatin ku kishin shtëpitë e të parëve ndërsa djali i njërit prej tyre i shqetësuar nga fakti se babai nuk përgjigjej në telefon, ka shkuar ti kërkonte dhe ka gjetur trupat e pa jetë duke njoftuar menjëherë njoftuar policinë.

Policia e Lezhës thotë se vijon ndërkohë kontrollet intensive për arrestimin e vëllait të autorit të krimit, i cili dyshohet se e ka ndihmuar atë pas vrasjes së dyfishtë, sikurse po punohet për gjetjen e armës së krimit.

EMISIONET