Lezhë: Shkuan te banesat e vjetra, rapsodi i njohur dhe një tjetër gjenden të vrarë

 

Katër të vrarë është bilanci i dy ngjarjeve të rënda që ndodhën në Lezhë dhe në Durrës pasditen e të hënës. Dy persona mes të cilëve edhe një rapsod i muzikës popullore u gjetën të vrarë me armë në një fshat ku shpesh është kultivuar kanabis në Lezhë. Një orë më pas në Shënvlash të Durrësit janë ekzekutuar brenda automjetit dy vëllezër, njëri avokat dhe tjetri tregtar makinash. Persona të pa identifikuar qëlluan ndaj tyre me breshëri ndërkohë që pistat e hetimit lidhen me borxhet dhe konflikte për tregtimin e automjeteve.

Katër persona mbetën të vrarë me armë zjarri në dy ngjarje të rënda të ndodhura pasditen e të hënës në Lezhë dhe në Durrës.

Rreth orës 16.00 policia njoftoi se në fshatit Lalm i Vjetër një zonë të thellë malore janë gjetur të pa jetë Preng Simoni dhe Kolë Murrani, të dy rreth moshës 60 vjeç.

Ata kishin shkuar në fshatin ku kishin shtëpitë e të parëve ndërsa djali i njërit prej tyre i shqetësuar nga fakti se babai nuk përgjigjej në telefon, ka shkuar ti kërkonte dhe ka gjetur trupat e pa jetë duke njoftuar menjëherë njoftuar policinë.

Njëri prej viktimave, Kolë Murrani njihej si rapsod që interpretonte muzikë popullore në aktivitete të ndryshme në zonë.

Grupi hetimor është nisur për në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë ka nisur punën për të përcaktuar shkakun dhe rrethanat e vrasjes së dy personave që janë ekzekutuar në një zonë ku herë pas here policia e shtetit ka sekuestruar dhe asgjësuar rrënjë kanabisi. Ndërkaq ngjarja tjetër ndodh rreth orës 16:40, tek vendi i quajtur "tregu i makinave" në Shënvlash, ku dy vëllezërit Besmir Haxhia dhe Viktor Haxhia, ky i fundit avokat, janë ekzekutuar me breshëri armësh.

Ata po lëviznin me një Golf 6 në momentin kur u qëlluan nga persona ende të pa identifikuar të cilët kanë arritur të largohen menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Dy vëllezërit me origjinë nga Puka, banonin në lagjen 13 në Durrës ndërsa Besmir Haxhia merrej me aktivitet në tregtimin e makinave dhe këmbimin e valutës kurse i vëllai Viktor Haxhia kishte licencë avokati.

Në vendin ku u ekzekutuan dy vëllezërit në orët e pasdites ka mbërritur edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, ndërsa nga ekspertiza ka rezultuar se automjeti ku ndodheshin dy viktimat është bërë shoshë nga të paktën 20 plumba.

Policia e Durrësit ka shoqëruar rreth 40 persona dëshmitarë dhe të dyshuar që po merren në pyetje në lidhje me ngjarjen e rëndë ndërkohë që po vazhdojnë hetimet për konflikte të mundshme të vëllezërve Haxhia për çështje borxhesh apo për shit-blerje automjetesh.

Sipas dëshmive të mbledhura nga policia mësohet se dy vëllezërit kishin rinisur aktivitetin ditën e sotme pas lehtësimit të masave të ndërmarra kundër përhapjes së koronavirusit.  


EMISIONET