PD-PS ''lexojnë'' ndryshe Venecian! Bardhi: Rama tentoi të kapë Kushtetuesen, Balla: Reforma në drejtësi s'ka kthim pas

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste e kanë lexuar ndryshe raportin e Komisionit të Venecias lidhur me emërimet e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese.

Përmes një postimi në Facebook, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi, tha se e përshëndet këtë vendim dhe se kjo vulos faktin se regjimi në ikje i kryeministrit Rama tentoi të kapë edhe Gjykatën Kushtetuese.

Gjithashtu, Bardhi u  shpreh se Komisioni i Venecias konfirmoi qartë se ka zero shkelje të Kushtetutës nga Presidenti i Republikës në betejën legjitime kundër kapjes së Gjykatës Kushtetuese.

Postimi i plotë

''Përshëndes vendimin e Komisionit të Venecias që vulosi sot se regjimi në ikje i Edi Ramës tentoi të kapë edhe Gjykatën Kushtetuese. 

Komisioni i Venecias konfirmoi qartë se ka zero shkelje të Kushtetutës nga Presidenti i Republikës në betejën legjitime kundër kapjes së Gjykatës Kushtetuese. 

Kjo është një tjetër provë sesi Edi Rama ka vetëm një strategji me drejtësinë: ose ta kapë, ose ta bllokojë. Bërja sa më parë funksionale e Gjykatës Kushtetuese është jo vetëm e rëndësishme për demokracinë në Shqipëri, por edhe 1 nga 15 kushtet për fillimin e negociatave me BE.''

Ndërkohë reagim ka patur edhe nga deputeti i PS-së Taulant Balla.

Balla shkruan në Facebook se procesi i Vetting-ut dhe Reforma në Drejtësi në tërësi nuk kanë kthim pas.

Sipas tij, propozimet e nevojshme për ndryshimet ligjore të bazuara plotësisht në sugjerimet e vyera të Venezias do të përgatiten me kujdes dhe pa humbur shumë kohë.

Postimi i plotë

''Mirënjohje Komisionit të Venecias edhe për Opinionin e sapo-miratuar mbi "Emërimet e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese"!

Procesi i vetting-ut dhe Reforma në Drejtësi në tërësi nuk kanë kthim pas. Tashmë kemi zgjidhjet e duhura për çështjet e kërkuara në Opinion.

Propozimet e nevojshme për ndryshimet ligjore të bazuara plotësisht në sugjerimet e vyera të Venezias do të përgatiten me kujdes dhe pa humbur shumë kohë.''

"Venecia" i dha të drejtë Presidentit Meta për emërimet ne Gjykaten Kushtetuese, duke i dhënë në këtë mënyrë fund debatit dhe pretendimeve të maxhorancës mbi këtë çështje.

Në pikën 98 të këtij raporti thuhet: Presidenti, përmes Aktit të tij të 5 nëntorit 2019, pezulloi në mënyrë të njëanshme procedurën e emërimit para skadimit të afatit 30 ditor të përcaktuar në ligj. Ndërsa një pezullim i tillë nuk parashikohet në mënyrë eksplicite nga Ligji për Gjykatën Kushtetuese, ai mund të jetë në përputhje me një mekanizëm zhbllokues që ka për qëllim zhbllokimin e një situate kur ka mosveprim ose vullnet dashakeq nga njëri prej aktorëve të përfshirë. Nëse nuk ka as vullnet dashakeq dhe as mosveprim, por përkundrazi duhet të plotësohet një boshllëk ligjor, ratio legis i mekanizmit zhbllokues nuk do të ishte i zbatueshëm. Si pasojë, do të duhet të ekzistojë mundësia për të ndërprerë funksionimin - përndryshe automatik - të mekanizmit zhbllokues. Ndaj, në bazë të një interpretimi teleologjik të dispozitave ligjore, është e justifikueshme të pranohet emërimi i mëvonshëm i një kandidati të dytë nga Presidenti. Prandaj duket e arsyeshme që Presidenti refuzoi të pranonte betimin e gjyqtares që pretendon se u emërua automatikisht.


EMISIONET