"Venecia" i jep fund debatit, legjitimon veprimet e Metës për emërimet ne Gjykatën Kushtetuese

"Venecia" i jep fund debatit, legjitimon veprimet e Metës

Komisioni i Venecias ka zbardhur dokumentin final në lidhje me konfliktin e mazhorancës me Presidentin për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Burimet zyrtare kanë zbardhur thelbin e raportit të Komisionit të Venecias, i cili i jep të drejtë Presidentit të Republikës lidhur me plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.

Venecia në pikën 98 të raportit final shprehet se Presidenti Meta nuk ka kryer asnjë shkelje për emërimet në Gjykatën Kushtetuese ndërsa veprimet e tij janë të justifikuara dhe të arsyeshme.

Anëtarët e Komisionit të Venecias e quajnë si të justifikueshëm emërimin nga Kreu i Shtetit të kandidates së dytë, duke gjetur me vend edhe refuzimin nga Presidenti të procedurës së betimit të Arta Vorpsi.

"Presidenti, përmes Aktit të tij të 5 nëntorit 2019, pezulloi në mënyrë të njëanshme procedurën e emërimit para skadimit të afatit 30 ditor të përcaktuar në ligj. Ndërsa një pezullim i tillë nuk parashikohet në mënyrë eksplicite nga Ligji për Gjykatën Kushtetuese, ai mund të jetë në përputhje me një mekanizëm zhbllokues që ka për qëllim zhbllokimin e një situate kur ka mosveprim ose vullnet dashakeq nga njëri prej aktorëve të përfshirë. 

Nëse nuk ka as vullnet dashakeq dhe as mosveprim, por përkundrazi duhet të plotësohet një boshllëk ligjor, ratio legis i mekanizmit zhbllokues nuk do të ishte i zbatueshëm. Si pasojë, do të duhet të ekzistojë mundësia për të ndërprerë funksionimin - përndryshe automatik - të mekanizmit zhbllokues. Ndaj, në bazë të një interpretimi teleologjik të dispozitave ligjore, është e justifikueshme të pranohet emërimi i mëvonshëm i një kandidati të dytë nga Presidenti. Prandaj duket e arsyeshme që Presidenti refuzoi të pranonte betimin e gjyqtares që pretendon se u emërua automatikisht" thuhet në raport.

Valë reagimesh në Tiranë

Publikimi i raportit përfundimtar ka shkaktuar reagime në Tiranë ku Presidenti i Republikës, duke shpërndarë konkluzionet e Venecias shprehet se kauza e 2 marsit fitoi, Kushtetuta e para.

Ndërkaq kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka nënvizuar se procesi i vetting-ut dhe reforma në drejtësi në tërësi nuk kanë kthim pas. 

Sipas Ballës, propozimet e nevojshme për ndryshimet ligjore të bazuara plotësisht në sugjerimet e vyera të Venecias do të përgatiten me kujdes dhe pa humbur shumë kohë.

"Tashmë kemi zgjidhjet e duhura për çështjet e kërkuara në Opinion" shprehet Balla.

Ndryshe e sheh çështjen opozita. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, shprehet se Komisioni i Venecias konfirmoi qartë se ka zero shkelje të Kushtetutës nga Presidenti i Republikës në betejën legjitime kundër kapjes së Gjykatës Kushtetuese. 

Sipas Bardhit, kjo është një tjetër provë sesi Edi Rama ka vetëm një strategji me drejtësinë: ose ta kapë, ose ta bllokojë. 

Zyrtari demokrat thotë se bërja sa më parë funksionale e Gjykatës Kushtetuese është jo vetëm e rëndësishme për demokracinë në Shqipëri, por edhe 1 nga 15 kushtet për fillimin e negociatave me BE.

Opioni i Venecias Per Gjykaten Kushtetuese by Ora News Lajme on Scribd


EMISIONET