Dështon rezistenca e Voltana Ademit për zgjedhjet, hapen me forcë dyert e shkollave
Në Qarkun Shkodër, rezulton që rreth 50 % e qendrave të votimit vazhdojnë ende të mbahen të mbyllura nga autoritet vendore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bëri thirrje kryetares së Bashkisë Shkodër të bashkëpunojë në respekt të ligjit. Në baze të neneve 248, 325 të Kodit Penal, tha KQZ, këto veprime konsiderohen vepër penale; shpërdorim detyre dhe pengim i subjeketeve zgjedhore. Disa prej shkollave u hapën me forcë në orët e pasdites duke futur brenda tyre materialet zgjedhore. Sakaq, disa Qendra Votimi po zhvendosen tek institucionet që ka mazhoranca në varësi, si Tatimet, Zyra e Punës, Shërbimit Social etj.
RTV Ora po ndjek minutë pas minute situatën në Shkodër
Ora 21:14 Në Shkodër disa qendra votimi po zhvendosen tek institucionet që ka mazhoranca në varësi, si tatimet, zyra e punës, shërbimit social etj.
Ora 21:00 Hapet me forcë shkolla “Pashko Vasa” në Shkodër, futen materialet zgjedhore.
Ora 20:30 Hapet me forcë dera e shkollës 9 -vjeçare "Ali Laçej"në Shkodër.
Ora 20:29 Materialet zgjedhore mbërrijnë edhe te shkolla "Ndoc Mazi" në Shkodër.
Ora 20:12 KZAZ-ja në Vaun e Dejës zhvendoset në një lokal dasmash
Gazetari Elio Laze raporton se KZAZ - ja që u dogj në Vaun e Dejës është vendosur në një lokal dasmash të zonës.Dy ditë më parë KZAZ 6 u dogj nga persona të paidentifikuar. Qeveria e akuzoi opozitën, ndërsa kjo e fundit tha se djegia ishte skenar i Edi Ramës.
Ora 19:24 Përfaqësues të OSBE/ODIHR ndjekin nga afër situatën në Shkodër
Ora 19:00 Denoncimi i drejtorit: Shkollës “Pashko Vasa” në Shkodër i është ndërruar brava
Drejtori i Shkollës “Pashko Vasa” në Shkodër ka denoncuar ndërrimin e bravës të derës hyrëse të këtij institucioni.
Për RTV Ora, drejtori i shkollës. Zt.Dritan Gega tha se persona të paidentifikuar kanë ndërruar bravën e shkollës.
Ora 18:54 Hapja me dhunë e shkollave, Bashkia Shkodër: Veprime diktatorialo-politike
Bashkia e Shkodrës shprehet e indinjuar në lidhje me moszbatimin e urdhërit të saj për ambientet në pronësi të bashkisë, të parashikuara për Qendra Votimi apo KZAZ. Në një deklaratë, bashkia thotë se këto veprime janë të pastra diktatorialo-politike. Po ashtu bashkia thotë se po monitoron situatën dhe po informon institucionet vendase dhe të huaja, si OSBE-ODIHR.
Ora 18:52 KQZ apel kryebashkiakes së Shkodrës për bashkëpunim: Liro qendrat e votimit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bëri thirrje kryetares së bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, të bashkëpunojë dhe të lirojë qendrat e votimet për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Zëdhënësja për mediat e KQZ, Drilona Hoxhaj, i kujtoi Ademit nenet në kodin penal që e konsiderojnë këtë lloj pengese vepër penale.
Ora 18:41 Shkodër, hapet me forcë dera e shkollës “Edit Durham”
Në Shkodër është hapur me forcë shkolla “Edit Durham”, në lagjen “Mark Luka” për të futur materialet zgjedhore.
Këtu do të jetë edhe qendra e votimit, në të cilën do të votojë kandidati i majtë për kryetar bashkie, Valdrin Pjetri.
Ora 18:31 Nuk hapet dera e shkollës "Jordan Misja"
Materialet zgjedhore kthehen mbrapsht nga shkolla "Jordan Misja", pasi nuk u bë e mundur hapja e derës së shkollës. Materialet zgjedhore do të transferohen në një vend tjetër.
Ora 17:52 Kërkohet hapja e derës së shkollës "Jordan Misja" në Shkodër
Në KZAZ nr 4, shkolla "Jordan Misja" në Shkodër kanë mbërritur materialet zgjedhore nga KQZ. Dera e shkollës është e mbyllur dhe pritet hapja me forcë. Në shkollë ka mbërritur dhe policia e shtetit.
Roja i shkollës nuk ka çelësin e zinxhirit. Policia po raporton dhe kërkon informacion si do të procedohet.
Bashkia Shkodër nuk ka asnjë vendim që i është paraqitur zyrtarisht, pavarësisht paligjshmërisë.
Thyhet urdhri i Ademit, nis hapja e shkollave në Shkodër për zgjedhjet
Thyhet urdhri i kryebashkiakes, Voltana Ademi, lidhur me bllokimin e shkollave për zgjedhjet. Në Shkodër ka nisur hapja e shkollave.
E para që ka hapur dyert ka qenë shkolla profesionale pyjore "Kolë Margjini" në të cilën janë futur materialet zgjedhore për ditën e nesërme, ku edhe do të votohet.
Aktualisht në Shkodër vijojnë të jenë të kyçura me zinxhirë shumica e institucioneve nën varësinë e Bashkisë, e cila më herët ka deklaruar se nuk do të ofrojë asnjë ambient për procesin që e cilëson të paligjshëm pas dekretit të presidentit.
Raportohet se materialet zgjedhore nga shkolla profesionale “Arben Broci” e caktuar si KZAZ po shpërndahen edhe drejt shkollave të tjera.
