Grabiten miliona euro në Rinas, policia përplaset me grabitësit, vret njërin
Ditën kur në Shqipëri duhej të ishte siguria maksimale, në aeroportin e Rinasit është realizuar një tjetër grabitje spektakolare.
Ashtu si edhe para tre vitesh disa persona kanë arritur sërish të thyejnë rrethimin pa u diktuar nga forcat e sigurisë.
Duket se grupi ka pasur informacion të qartë mbi shumën që do të transportohej dhe orari. Menjëherë sapo paratë kanë zbritur nga automjeti i blinduar dhe janë vendosur në avionin që do të nisej drejt Vjenës, një furgon ka çarë rrethimin e aeroportit dhe agresorët kanë hyrë menjëherë në zonën ku u vendosën paratë.
Brenda pak minutash u realizua grabitja dhe autorët kanë dalë sërisht nga e njëjta derë ku dhe hynë. Dëshmitarët kanë treguar se gjithçka ka ndodhur shpejt dhe pa shkaktuar panik. Teksa mësohet se janë grabitur një shumë rekord pasi në avion ishin paratë e tre bankave të nivelit të dytë.
Edhe një herë mbetet enigmë se si forcat e sigurisë nuk morën informacion për thyerjen e rrethimit, por janë sinjalizuar vetëm pasi agresorët janë larguar. Në ndjekje të mjetit janë nisur forcat e rendit por dhe të ndërhyrjes së shpejtë.
Grabitësit janë përgjigjur me armë duke tentuar të largohen, por në betejë ka mbetur i vrarë një prej tyre. Si pasojë e ndjekjes autorët kanë braktisur mjetin. Pesë prej tyre dyshohet se kanë mundur të largohen me këmbë, teksa ishin të armatosur me kallashnikov edhe granata.
Pas marrjes së njoftimit forca të shumta janë nisur në vendngjarje teksa në shumë pika kyçe janë ngritur postblloqe.
Në zonën e Bathores në Tiranë, banorët kanë sinjalizuar për një tjetër automjet të djegur pikërisht pak minuta nga ngjarja në Rinas. Me mbërritjen në ngjarje ekspertët kanë ngritur dyshimet se ajo u përket grabitësve duke nisur edhe ekspertizën.
Trupi i personit të vrarë është nisur drejt morgut ku nisi dhe puna për identifikimin e tij. Po ashtu në polici janë shoqëruar mbi 40 persona të cilët janë marrë në pyetje.
Autorët të kamufluar me uniforma të policisë tatimore
Sipas raportimeve paraprake në mjetin e blinduar ndodheshin rreth 2 milion euro por ende nuk ka një shifër zyrtare për shumën e grabitur.
Autorët kanë qenë me uniforma të ngjashme me policinë tatimore dhe një makinë ku kishin vendosur mbishkrimin "Hetimi Tatimor".
Autorët e grabitjes janë larguar në drejtim të Fushë Krujës, ku policia ka ngritur pika kontrolli.Uniformat blu kanë bllokuar aksin rrugor Rinas-Valias. Policia ka ngritur postoblloqe dhe në Kamëz dhe po kryen kontrolle.
Në vendgjarje kanë mbërritur dhe dy prokurorë të Krimeve të Rënda.
Ora 18:24 Alarmi i sigurisë vuri njoftoi grabitjen, kamerat indentifikuan mjetin
Gazetari Besar Bajraktaraj duke raportuar nga përpara portës të cilës grabitësin e kanë shfrytëzuar për tu larguar tha se "në pistë ka qenë avioni që do përdorej për largimin e parave jashtë vendit. Ekuipazhi dhe pasagjerët e kanë pasur të pamundur ti identifikojnë grabitësit për shkak të kamuflimit të tyre. Alarmi që ka rënë në momentin që autorët kanë prishur derën dhe janë larguar ka ndihmuar policinë të vihet në ndjekje të tyre. Kamerat e sigurisë kanë bërë të mundur identifikimin e mjetit të autorëve. Pas rreth 500 metra ata kanë pikasur policinë dhe kanë shtënë në drejtim të saj. Policia është kundërpërgjigjur duke vrarë një prej tyre. Po kryhen kontrolle nga policia në rrugët lidhëse me Rinasin".
Ora 18:21 Grupi hetimor po bën kqyrjen e mjetit të djegur në Bathore
Gazetarja Keti Banushi raporton se dyshohet që në grabitjen me armë zjarri të 2 milion eurove në pistën e avionit në Rinas kanë marrë pjesë 4-5 persona.
Ora 18:15 Gazetarët Besar Bajraktaraj dhe Keti Banushi raportojnë për grabitjen
Ora 17:50 Mjeti i grabitësve u dogj në Bathore, ja ku dyshohet të jenë larguar autorët
Ora 17:13 Transporti i parave kryhej nga Shoqëria e Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike “Nazeri 2000”.
Ora 17:10 Policia po kryen verifikimet e sendeve personave të grabitësit të vrarë
Në vendin e ngjarjes ka qenë edhe drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe prokurorë të krimeve të rënda.
Ora 17:02 Viktima transportohet drejt morgut, dyshime edhe për një tjetër të vrarë
Gazetari Besar Bajraktaraj raporton se "nga burime mësohet se ka pasur edhe persona të tjerë të lënduar por nuk është konfirmuar nga policia. Flitet edhe për një person të dytë të vdekur nga shkëmbimi i zjarrit. Viktima në radhët e grabitësve sapo është larguar drejt morgut me autoambulancë. Grabitësit me një furgon të bardhë kanë çarë rrethimin e aeroportit të Rinasit".
Ora 16:48 Postobllok policie në Tapizë
Një tjetër postobllok policie është vendosur në Tapizë, afër vendit ku ndodhi grabitja me armë,
Ora 16:34 Policia: Grabitja ndodhi në pistën e avionit
Policia ka dhënë informacionin zyrtar për grabitjen, ku thotë se ngjarja ka ndodhur në pistën e avionit dhe viktima është një nga autorët e grabitjes.
"Pak minuta më parë, pranë aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, dyshohet se disa persona ende të paidentifikuar, me maska dhe armë pasi kanë thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, kanë grabitur një sasi lekësh në pistën e avionit dhe janë larguar.
Në ndjekje të tyre janë vënë forcat e FNSH dhe ato të Policisë Kufitare të Rinasit.
Gjatë ndjekjes në një rrugë dytësore, autorët kanë shkëmbyer zjarr me Policinë, e gjatë këtij shkëmbimi ka humbur jetën njëri prej autorëve të grabitjes. Policia ka gjetur ndërkohë dhe bllokuar një mjet furgon.
Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një helikopter janë ende në ndjekje të autorëve të grabitjes.
Të angazhuara në operacionin e gjerë janë edhe forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësit".
Ora 16:29 E konfirmuar, viktima është një nga grabitësit
Gazetari Besar Bajraktaraj raporton se "Është konfirmuar se nga përpasja mes grabitësve dhe personave që ruanin blindin me vlerën monetare ka pasur një viktimë. Viktima është nga radhët e grabitësve dhe dyshohet se është vrarë nga forcat e policisë".
Ora 16:22 Makina e autorëve të grabitjes gjendet e djegur në urën e Brarit.
Ora 16:00 Gazetari Besar Bajraktaraj raporton nga vendngjarja: "Një person ka mbetur i vdekur nga shkëmbimi i zjarrit mes grabitësve dhe personave që ruanin vlerat monetare që po transportoheshin. Grabitësit kanë qenë të kamufluar me uniforma të policisë tatimore. Nga burimet kemi mësuar se vlera e parave që transportoheshin drejt Rinasit arrin 1.5 milion euro. Autorët janë larguar në drejtim të Fushë Krujës ndërkohë policia ka ngritur pika kontrolli në gjithë zonën".




