Vrasës me pagesë për ish-deputetin? Pashko Ujka u ekzekutua me një plumb, autori u “zhduk në Shkodër

Veprimtaria në krye të komunës së Velipojës ku ka qenë i dyshuar për tjetërsim pronash, por dhe konfliktet e të birit që merret me ndërtim, janë dy pistat kryesore të hetimit për ekzekutimin e ish-deputetit Pashko Ujka në Shkodër. Deri më tani, policia nuk ka asnjë të dyshuar si ekzekutor.

Konfliktet e krijuara për shkak të detyrës si ish kryetar i Komunës së Velipojës, por dhe aktiviteti privat i ndërtimit që drejtohej nga i biri janë pistat kryesore të hetimit për ekzekutimin në Shkodër të ish-deputetit Pashko Ujka mbrëmjen e 29 nentorit 2021.

Gjatë kohës kur mbante detyrën e kreut të komunës bregdetare, në vitet 2011-2015, Ujka dhe vartësit e tij kanë qenë nën hetim për akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.

Prokuroria, atë kohë kishte dyshime të forta se aty ishin ndarë dhjetëra akte të marrjes së tokës në pronësi.

Këto dokumente të falsifikuara që janë përdorur për tjetërsimin e pronave në bregdetin e Velipojës, ku familja e ish-deputetit mësohet se ka në pronësi një pallat.

Por veç veprimtarisë si ish-funksionar i shtetit, grupi hetimor po verifikon edhe për konflikte të tjera të ish ligjvënësit apo familjarëve të tij.

Këta të fundit, në një reagim kanë mohuar që ai të ketë pasur konflikte e kërcënimeve në të shkuarën, sikurse borxhe financiare apo mosmarrëveshje për ndërtimet.

Pashk Ujka u sulmua mbrëmjen e së hënës, 29 nëntor pranë Lulishtes "Vasil Shanto", zonë ku edhe banon.

Autori sipas burimeve ka qenë një person i ri dhe i pamaskuar i cili përdori një pistoletë me silenciator.

Ai është afruar pa rënë në sy dhe ka qëlluar me një plumb pas shpine ish kryekomunarin që shoqërohej nga bashkëshortja dhe vëllai.

64 vjeçari mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë në Spital.

Vrasja mësohet se është fiksuar nga një kamera sigurie në zonë, por pamjet dhe dëshmia e familjarëve të Pashkë Ujkës nuk e kanë ndihmuar shumë hetimin.

Dyshimet janë se vrasja e ish-deputetit të PDK ka qenë e organizuar dhe nuk përjashtohet as pista e një vrasësi profesionist me pagesë.

Pas veprimeve të para mes shiut e në errësirë ekspertët u rikthyen në vendngjarje edhe këtë të martë pas krimit për të kërkuar gjurmë të reja që mund t'i çojnë tek vrasësi i ish-deputetit.

EMISIONET