Dy operacione anti-drogë në Lezhë, arrestohen 3 persona, sekuestrohen rreth 50 kg kanabis (VIDEO)

Brenda 12-orëve në Lezhë janë finalizuar dy operacione policore për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, ku në pranga kanë rënë 3 persona ndërsa një tjetër është proceduar penalisht.

Policia bën me dije se në kuadër të operacionit "Munella" , janë arrestuar dy persona ndërsa u sekuestruan  31 kilogramë e 600 gramë lëndë narkotike.

Mësohet se në pranga kanë rënë shtetasit V.Ll., 49 vjeç, lindur në Domgjon, Mirditë, banues në Zejmen, dhe P.N.  43 vjeç, lindur në fshatin Xhuxhë, Mirditë, banues në Tale, Lezhë.

“Në operacionin policor të koduar "Munella", në fshatin Domgjon,  Fanë, Mirditë, shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të ushtruara në banesat e shtetasve V.Ll. dhe P.N., kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 31 kilogramë e 600 gramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Lezhë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: V.Ll., 49 vjeç, lindur në Domgjon, Mirditë, banues në Zejmen, Lezhë dhe P.N.  43 vjeç, lindur në fshatin Xhuxhë, Mirditë, banues në Tale, Lezhë, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve,  kryer në bashkëpunim.”

Po ashtu është finalizuar dhe operacioni policor i koduar "Kaçinari", ku në pranga ka rënë 36-vjeçari, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë babai i tij.

Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar 18 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.

“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:B.Ç.,36 vjeç, banues në fshatin Arrëz,Mirditë, për vepren penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve ", si dhe proceduan penalisht në gjëndje të lirë për shkak të problemeve shëndetësore, babain e tij shtetasin P.Ç.”- njofton policia.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

EMISIONET