EMRAT/ SPAK zbardh skemën e trafikut të dr*gës drejt Finlandës, në gjykatë 11 shqiptarët e grupit të strukturuar kriminal
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet paraprake për një prej dosjeve më të mëdha të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për kalimin në gjykim të 11 personave të akuzuar si pjesë e grupeve të strukturuara kriminale që vepronin mes Shqipërisë dhe Finlandës.
Sipas SPAK, procedimi penal është ndarë nga dosja nr. 147 e vitit 2023 dhe hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet finlandeze, në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore, ende aktive.
Nga hetimet ka rezultuar se, duke nisur nga viti 2022, disa grupe të strukturuara kriminale të drejtuara nga shtetas shqiptarë kanë trafikuar në Finlandë sasi të mëdha lëndësh narkotike, përfshirë kanabis, kokainë, amfetaminë dhe tableta ekstazi.
Sipas dosjes, droga shpërndahej në disa qytete finlandeze përmes një rrjeti të organizuar, me qëllim përfitimin e të ardhurave të paligjshme.
SPAK bën me dije se gjatë hetimeve janë përdorur metoda speciale, përfshirë përgjime telefonike, regjistrime të fshehta audio dhe video, si edhe shkëmbim informacioni në kohë reale me Byronë Kombëtare të Hetimit të Finlandës.
Në dosje dokumentohen episode të shumta të trafikut dhe shitjes së drogës, ku përfshihen qindra kilogramë amfetaminë, kanabis dhe kokainë, si edhe mijëra tableta ekstazi dhe medikamente narkotike.
Një pjesë e anëtarëve të grupeve kriminale janë arrestuar dhe dënuar më herët nga autoritetet finlandeze.
Hetimet janë mbështetur edhe nga Zyra e Oficerit Ndërlidhës të Vendeve Nordike për Shqipërinë dhe Kosovën, si edhe nga rrjeti @ON, i financuar nga Komisioni Evropian dhe i koordinuar nga Drejtoria Italiane e Hetimit Antimafia (DIA).
SPAK bën me dije se hetimet për procedimin penal nr. 147 të vitit 2023 vijojnë, me synim identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në këtë aktivitet kriminal.
Lista e të pandehurve:
Besnik Spata
Ermelind Pupa (alias Ermelind Myzyri)
Erind Agalliu (alias Erind Teneqexhiu)
Geraldo Seferaj
Dorjan Luzaj
Kevin Qevani (alias Bojken Qevani)
Toni Kota (alias Elton Tavani, alias Thoma Tavani, alias Toni Tavani)
Eltion Myftari (alias Eltjon Miftari)
Ledjon Hoxha
Altin Musta
Nikollaq Godo (alias Pavjol Gode)


