“VODHI” MARRËVESHJEN ME SHBA/ Agron Shehaj, 60 ditë jashtë Kuvendit. E nis sezonin i përjashtuar
Agron Shehaj u përjashtua për 60 ditë nga Kuvendi, për marrjen e marrëveshjes konfidenciale të huasë prej 302 milionë dollarësh me SHBA-në. Socialistët paralajmëruan kallëzim në SPAK, ndërsa deputetët e PD-së votuan kundër masës.
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, u përjashtua për 60 ditë nga seancat dhe komisionet parlamentare, pasi mori marrëveshjen konfidenciale të huasë prej 302 milionë dollarësh nga SHBA-ja dhe e nxori jashtë sallës ku ligjvënësit mund ta lexonin para votimit në Kuvend, me kusht që të firmosnin një deklaratë që ndalonte publikimin e informacionit sekret.
Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën i dha Shehajt dënimin më të rëndë që parashikohet në rregullore, me kërkesë të deputetëve socialistë, si ndëshkim për veprimin e tij në Kuvend. Gjatë incidentit, siç treguan pamjet, një punonjëse e administratës u rrëzua në përpjekje për të ndaluar ligjvënësin, i cili u largua me vrap me kopjen e marrëveshjes.
Por, duke qenë se sesioni parlamentar ka përfunduar, masa e ndëshkimit ndaj kreut të Partisë Mundësia do të nisë të zbatohet me fillimin e legjislaturës së re të Kuvendit, në muajin shtator.
Sekretariati nuk mori në shqyrtim kërkesën tjetër të socialistëve për ta kallëzuar në SPAK kreun e Partisë Mundësia, çështje që përfaqësuesit e mazhorancës deklaruan se do ta ndjekin vetë.
Deputetët e Partisë Demokratike votuan kundër vendimit që e lë kreun e partisë së vogël opozitare, Mundësia, për dy muaj jashtë Kuvendit.
Sipas socialistëve, Prokuroria e Posaçme duhet të hetojë Agron Shehajn për pesë vepra penale, që përfshijnë përvetësimin e paligjshëm të informacionit të klasifikuar, vjedhjen, grabitjen, pengimin e kryerjes së detyrës nga funksionari dhe cenimin e sigurisë kombëtare.

