Shqiptarët e Maqedonisë janë muratorët e fatkeqësisë së vet!

Shqiptarët e Maqedonisë janë muratorët e

Shqiptarëve të Maqedonisë shpesh u ndodhin tragjedi. Aq shpesh përballen me tragjedi nga më rrëqethëset sa jo vetëm ata, por edhe pushtetarët e tyre, thuajse u mësuan me to dhe i pranojnë si diçka që u ka rënë në hise, si fatalitet të cilit as kanë si i ikin, e as kanë si i shpëtojnë.

Dhe pas fatkeqësive ajrore të vitit 1993, kur humbën jetën 194 viktima, kryesisht shqiptarë, pas ‘Sopotit’, ‘Monstrës’, likuidimit pa gjyq të Harun Aliut më shokët, rastit të Kumanovës..., para dy viteve, në afërsi të Shkupit, ndodhi përplasja e autobusit, ku humbën jetën katërmbëdhjetë udhëtarë.

Para disa muajsh ndodhi tragjedia e quajtur spitali i Tetovës, ku u dogjën të gjallë gjithashtu katërmbëdhjetë veta.

Dhe tani erdhi djegia e autobusit në Bullgari, ku numri i viktimave është rrëqethës dhe i madh edhe për rrethana lufte e fatkeqësi natyre me përmasa biblike.

Dhe gjitha këto tragjedi kanë diçka të përbashkët: deklaratat e burrështetasve të Maqedonisë, me në krye ata to BDI-së, nëpërmjet të cilave deklarata ata u shprehin ngushëllime familjeve të viktimave dhe, premtojnë zbardhje sa më të shpejtë të tragjedive. Kuptohet, duke mos harruar të shpallin ditë zie si dhe, duke u fotografuar thuajse pranë kufomave.

Pra pasi ndodhin tragjeditë, për elemente të dyshimta korruptive flasin hajdutët që duhet ta luftojnë korrupsionin, për qarkullim të autobusëve pa licenca ankohen ata që duhet të na garantojnë udhëtime të sigurta, zbardhje të shpejtë të rasteve tragjike premtojnë ata që shqiptarëve të këtushëm ua kompletuan kalendarin me ditë zie.

Por, për veç kësaj, këto tragjedi i ndërlidh edhe diçka shumë përbuzëse për shqiptarët e Maqedonisë, e që ka të bëjë me harresën e tyre, harresë që i ndihmon ata shumë shpejtë ta mposhtin dhembjen dhe revoltën, e ti rikthehen përuljes ndaj të pushtetshmit dhe të fortit.

Dhe mbase kjo dhuntie e tyre të harrojnë shpejtë, ata i ndihmoi të mësohen me fatkeqësitë, ta përqafojnë dhembjen kolektive, por ta vajtojnë vetëm fatkeqësinë personale si dhe, të mos kenë guxim ta pranojnë se shumë nga burrështetasit e BDI-së e shpërfaqin të vërtetën se shqiptarët e Maqedonisë janë muratorët e fatkeqësisë së vet.

EMISIONET