Editoriali i “Drejt”: Dhjetori i Partisë Demokratike

Dhjetori i këtij viti, i tridhjetë e njëjti në historinë e Partisë Demokratike, e gjen partinë e parë antikomuniste të pluralizmit shqiptar ngërthyer me vetveten në një proces që ende askush nuk e di se ç’kah do të marrë.

Sali Berisha, njeriu që në dhjetorin e vitit 1990 ishte ndër themeluesit e më pas kryetari i saj deri në vitin 2013, President i Republikës në një mandat problematik që e mbylli kohën e vet si Kryetar Shteti me rënien e shtetit në vitin e mbrapshtë 1997, ia doli të ringrihej e të bëhej kryeministër duke qeverisur në 8 vjet përgjatë viteve 2005-2013, mes arritjesh dhe dështimesh, mes fitoresh dhe skandalesh.

Dha dorëheqjen si Kryetar i PD-së pasi nuk ia doli të fitonte një mandat të tretë, por nuk ndoqi shembullin e paraardhësit të vet, që me humbjen e zgjedhjeve u largua nga jeta politike.

Berisha, edhe pse jo kryetar formalisht, qëndroi aty e madje gjithnjë protagonist.

Ndërkaq, Lulzim Basha i përfshirë në jetën politike përmes KOOP-it fillimisht si strukturë zgjedhore e Partisë Demokratike, shumë shpejt do të bëhej imazhi i qeverisjes së Berishës, duke qenë i përkëdheluri i tij, aq sa e zgjodhi për ta patur pasardhës.

Kryetari i ri i Partisë Demokratike, në 8 vjet qe gjithnjë nën hijen e Kryetarit historik, aq sa të gjithë besonin se zoti Basha ka emrin, por kryetarin real e bënte zoti Berisha.

Gjithçka u shemb mes tyre, pasi Sekretari Amerikan i Shtetit e shpalli zotin Berisha person non grata, një vendim që e detyroi zotin Basha të distancohej nga ish idhulli i tij dhe ta largonte atë nga radhët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Kaq u desh që Berisha dhe Basha të hynin në një luftë, që edhe pse e veshur me parime statutore dhe e shoqëruar me slloganë e retorikë legjitimiteti, integriteti dhe sovranitetit, ne thelb është luftë mes dy qasjesh politike, mes dy mentalitetesh dhe konceptesh të ndryshme të përfaqësuara nga dy individë që nuk i kanë kursyer as akuzat më të rënda për njëri-tjetrin.

Konflikti i tyre nxori në pah krizën e madhe të Partisë Demokratike, por që në thelb është krizë e të gjithë opozitës.

Dhjetori e gjen pra kësisoj Partinë Demokratike në luftë me vetveten, por edhe në vëmendjen e e të tjerëve, edhe të vetë qytetarëve, se çfarë do të ndodhë në dhjetorin e saj prej 11-ës deri më 18?

Dhjetori është muaji i fundit i vitit.

Por është edhe pararendës i një viti tjetër, i vitit të ri.

Po për Partinë Demokratike çfarë do të jetë ky dhjetor?…

EMISIONET