Editorial i Drejt - Përse të ndarë më 29 nëntor?

Edhe pse 29 nëntori, jo vetëm prej traditës por edhe prej ligjit është festë zyrtare në Republikën e Shqipërisë, klasa politike, e mandej edhe anëtarët e partive e simpatizantët e tyre, kur vjen puna për qëndrimin që duhet të mbajnë ndaj datës së çlirimit të atdheut nga pushtuesit nazifashistë, shfaqen të ndarë.

Kështu ndodhi edhe sot.

Asnjë përfaqësues i opozitës nuk u shfaq në nderimet shtetërore dhe as në ceremonitë përkujtimore të 77- vjetorit të çlirimit të Atdheut.

Ata, si ditën e çlirimit e përkujtojnë 28 nëntorin!

Kjo është qasja e tyre!

Por, Ndërsa mazhoranca, edhe pse kryetari i saj është shfaqur në disa raste si kundërthënës në qëndrimet e veta; herë si ballist i Mit’hat Frashërit dhe herë si partizan i nacionalçlirimtares, bën gjithë kujdesin e duhur ta nderojë qoftë edhe formalisht festën e çlirimit të Atdheut.

Mirëpo, ndërsa politika sillet ndaj ditës së çlirimit sipas interesave të veta dhe e përdor atë politikisht, të ndarë janë kur vjen puna për të, edhe vetë historianët, të cilët do të duhej të ishin në fakt, në mos ata që do të impononin edhe qëndrimin e politikës, të paktën t’u këshillonin politikanëve qëndrimin e duhur; mbi bindjen e tyre shkencore, profesionale dhe logjike bazuar në parimin e historizmit dhe kritereve që imponon ky parim.

Por, ajo që është paradoksale, më shumë se sa për 29 nëntorin e vitit 1944, ndasitë bëhet edhe më të madha për vetë karakterin apo natyrën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Përse ka kaq shumë debat dhe konflikt për datën e çlirimit edhe tani, 30 vjet pas shembjes së komunizmit?

E mbi të gjitha përse kaq diferenca për vetë Luftën?

A nuk ishte Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe gjaku i bijave dhe bijve më të mirë të popullit tonë që i solli lirinë e grabitur atdheut?

A nuk ishte Lufta partizane që i dha Shqipërisë krenarinë e të qenit vend antifashist?

Mirë politikanët, po historianët a nuk e mendojnë pak se çfarë pasojash do të sillte mbi vetë ekzistencën e Shqipërisë si shtet nëse ajo do të ishte në anën e kundër të antifashizmit?

E pas gjithë mëdyshjeve e qëndrimeve pro dhe kundër 29 nëntorit si ditë e çlirimit, a nuk është mosnjohja e kësaj date nga një palë, vetë parathënia e mohimit të Luftës dhe antifashizmit që ajo përfaqëson në historinë tonë kombëtare.

A mos jemi gjendur në këto tridhjetë vjet postkomunizëm në kurthin e Luftës kundër Luftës dhe përdoret 29 nëntori si frëngji për të goditur më tej vetë Luftën?

EMISIONET