Venecia e bën "me abone" Tiranën

Brenda 6 muajve, 3 delegacione të Komisionit të Venecias kanë vizituar Tiranën për të mbledhur fakte mbi çështjet që kanë përplasur institucionin e Presidentit dhe mazhorancën. Këtë fakt e ka konstatuar edhe Kreu i Shtetit Ilir Meta gjatë takimit me përfaqësuesit e Venecias, i cili u tregua i gatshëm edhe t’u ofrojë gjysmën e zyrave të Presidencës. Meta: Jam i gatshëm t’ia lë gjysmën e Presidencës Komisionit të Venecias. Nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, nuk kemi Gjykatë të Lartë, të paktën të kemi Komisionin e Venecias këtu. Më herët delegacioni mori edhe përgjigjet nga kreu i Kuvendit dhe përfaqësuesit e komisionit hetimor përsa i përket dekretit të Presidentit Meta për anëtaren e Gjykatës Kushtetuese Marsida Xhaferllari dhe mos thirrjes së Arta Vorpsit për t’u betuar. Takimet e sotme delegacioni i mbylli me Arta Vorpsin, ndërsa nesër do të takohen me kreun e KED, Ardian Dvorani.