Visar Zhiti i përgjigjet kryepolicit të Qafë-Barit: Paturpësi! Persekutori ngre gishtin kundër të persekutuarit

Visar Zhiti i përgjigjet kryepolicit të Qafë-Barit:

Shkrimtari i njohur nuk donte të përfshihej në debat por iu desht të jepte një përgjigje ish shefit të policisë së kampit të Qafë-Barit, Edmond Çaja. Përmes një letre të publikuar në media pak ditë më parë,  Çaja, i cili kishte lexuar librin “Ferri i çarë” e quante gënjeshtar dhe bashkëpunëtor të regjimit, Visar Zhitin.

Në studion e RTV Ora, Zhiti tregoi se sapo ishte kthyer nga Como, e Italisë, ku kishte marrë pjesë në  festivalin e poezisë, “Europa në vargje” dhe ishte nderuar me  “Çmimin e karrierës” por se ikja në këtë ceremoni kishte lënë pas shumë lehje dhe kafshime

Visar Zhiti: “Ikja në këtë ceremoni duke lënë në vendin tonë shumë zhurmë, kafshime, lehje, fantazma kapotash dhe helmetash, që janë shumë shqetësuese për realitetin. E çuditshme nuk është marrja e çmimit por vuajtja për poezi. Të dënohesh për poezi dhe ata që e shkaktuan këtë vuajtje vazhdojnë të sulmojnë përsëri pa ndjerë pendim pa ndryshuar dhe pa u bërë njerëz normal”

 Perballe gazetare Beti Njuma, Zhiti tha se është paturpësi që një persekutor ngre gishtin mbi një të përsekutuar. 

Visar Zhiti: Unë nuk kam punë me të, unë kam punë me shefin e policisë në kampin e Qafë Barit ku u bë një revoltë e rëndësishme e të burgosurve politike dhe dhuna policore, terrori i asaj kohe ndëshkoi burgun, pushkatoi njerëz, theu eshtra. Unë i përgjigjem këtij realiteti dhe kësaj të vërteta.  Jam i detyruar ti përulem së vërtetës dhe të nderoj vuajtjen njerëzore dhe atë qëndresë të madhe dhe ta tregoj me gisht atë që pashë, kush ishte shkaktari dhe atë që ndëshkoi.

Beti Njuma: Nga letra e botuar nga ky person rezulton se njerëz që i kanë shërbyer atij sistemi diktatorial nuk kanë pendesë

Visar Zhiti: Po, ai bashkë me ata jo vetëm nuk shfaqin pendesë, dhe duken shumë larg pendesës, por kanë kurajon dhe paturpësinë që në një kohë tjetër, kur edhe ata nuk janë më policë dhe unë nuk jam më i burgosur politik, por jemi në një shoqëri demokratike, ata kanë kurajon të flasin kundër viktimave të tyre. 

Në asnjë vend të botës nuk mund të ngrejë gishtin persekutori kundër të persekutuarve, sidomos në kushtet e tanishme kur unë jam në kohën time, ne që ëndërruam demokracinë dhe u sakrifikuam dhe u martirizuam dhe me butësi tregojmë çfarë ndodhi, këta vërsulen në mënyrën më të përbindshme. Nëse atëherë po bënte i detyruar detyrën, sot që nuk është më në atë detyre dhe jeton në një nga vendet më të demokratizuara, flet si një polic, ndëshkon si një polic dhe kjo është e padurueshme dhe e patolerueshme.

Beti Njuma: Kjo ishte problemi i letrës së tij që ishte e mbushur me krenari...

Visar Zhiti: ...dhe me shpifje. Mund të jetë një krenari boshe. si kapota bosh, dhe helmeta pa koke. Ka dhe shpifje të padurueshme dhe të dënueshme. Ky njeri e shikon kalimin tim nga burgu i Spaçit në Qafë Bar si i dërguar, kur unë shkoj me të gjithë të burgosurit sepse u mbyll njëri kamp na çuan në kamp tjetër.

 Në atë letrën e tij të famshme që mediat guxojnë ti japin hapësirë dhe ta konsiderojnë si të vërtetë, ky njeri, nëse është ende njeri më thotë që kam punuar në ofiçinën e burgut. Unë nuk kam punuar asnjë ditë në ofiçinë, e tregojnë dokumentet e burgut. Nëse do të punoja, ofiçina është vend që të çojnë nuk e zgjedh vetë. I burgosuri shkon në ofiçinë, shkon në berberhane, shkon dhe në pushkatim. Unë nuk kam qenë asnjë sekondë bashkëpunëtor i tij dhe i askujt tjetër. Është hapur dosja ime, njerëzit janë të lirë të flasin me dokumentacion. Une kam një libër të shkruar nga unë mund të mos jetë i plotë.. por le të shkojnë të hapin të gjitha dosjet dhe të shikojnë ku është shpallur e botuar që në vitin 1989.  Unë kam refuzuar në mënyrë të vendosur bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit. Derisa kjo letër ka vitin 1989, do të thotë se deri në atë kohë nuk kam qenë bashkëpunëtor i tyre. Pas 1989, unë nuk kisha pse të bëhesha më sepse ra sistemi i tyre dhe ata u konvertuan dhe tani i ka hipur një gjallëri dhe i ka marrë malli për helmetat dhe telat me gjemba.

Falje persekutoreve?Visar Zhiti:  "Kam të drejtë të fal vetëm të mitë, por faljen e madhe kanë të drejtë ta bëjnë vetëm të pushkatuarit. Le të pyesin të pushkatuarit sesa falin ata." 

Po ndertojme demokracine me ata qe bënë dhe diktaturën

Visar Zhiti: "Është krijuar një gjendje e tillë që ka munguar shpallja e së vërtetës, hapja reale e dosjeve, njohja e së kaluarës dhe në njëfarë mënyrë po ndërtojnë një demokraci me ata që bënë dhe diktaturën. Kjo ka krijuar dhe vështirësitë e mirëkuptimit të vështirë. Nuk e kemi zbuluar, nuk e kemi shpallur, por nuk duhet të jemi pesimistë, dicka është bërë, dicka është thënë. Edhe ky acarimi i tyre është rezultat i kësaj të vërtete që po shpalosim.

Po perse shoqëria shqiptare, nuk po e dënon moralisht persekutimin? 

Visar Zhiti: "Sepse mungon e drejta, e vërteta. Mungon sepse akoma nuk kemi marrë forcën dhe edukaten e nderimit te vuajtjes njerëzore, e atij martilizimi të madh. Njëkohësisht duhet të kemi kultin e së vërtetës, jemi mësuar me gënjeshtra dhe me mashtrime të pafundme.

Beti Njuma: Qëllimi i veprës suaj, “Burgologji” ka qenë të rrëfeni e mbani gjallë kujtesën për atë sistem çnjerëzor

Visar Zhiti: Dëshira ime ishte të mos kisha punë apo hakmarrje me njerëz të veçantë, qoftë edhe nga ata që unë e kam pësuar. Doja të merresha me dukuritë sepse kjo ka rëndësi. Gjithsesi, e keqja është bërë me njerëz, me emra.

Beti Njuma: Detyrimi është të flasim me emra për ata që kanë patur rol të drejtpërdrejtë

Visar Zhiti: Absolutisht po. Ata duhen të kenë fuqi të distancohen nga vetja e tyre e dikurshme, ta ndëshkojmë së bashku atë të keqe sepse ka qenë një e keqe e përbashkët, pavarësisht se dikush ishte në rolin e xhelatit dhe dikush në rolin e të dënuarit. Ka nevojë shoqëria për një mirëkuptim dhe zgjedhje për të ndëshkuar të keqen.

Beti Njuma: Autoriteti për hapjen e dosjeve. A duhet të ishin bërë publik emrat e bashkëpunëtorëve të sigurimit

Visar Zhiti: Po, duhet të ishin bërë. Dicka është bërë, edhe unë e kam marrë dosjen time. Por në një rast të tillë, sic ju e kujtoni, në një konflikt të shefit të policisë të burgut me të burgosurin e tij dhe ai bën një shpifje, atëherë Autoriteti i Dosjeve apo institucionet e tjera duhet të mbajnë qëndrim, duhet të tregojnë si është e vërteta. Nëse ai që e thotë këtë zbulohet me dokumentacion, të mbajë përgjegjësi ai që akuzohet, ndryshe përgjegjësia e ndëshkimit duhet të bjerë në atë që shpif, qoftë Autoriteti i Dosjeve, qoftë institucione të tjera, qoftë shteti duhet tu japin përgjigje këtyre gjërave. Nëse ata i mbajnë të pazgjidhura, do të thotë se u intereson zgjatja e së keqes.

Beti Njuma: Nje pjese e bashkepunetoreve te sigurimit te shtetit punojne edhe sot e kesaj dite ne diplomacine shqiptare

Visar Zhiti:  Po janë, gjenden në shumë institucione. Së pari, duhen rrëfyer. Së dyti, është një ndër gazetarët më të mirë europianë, Adam Icnik, i cili thotë që në rastet e listave të bashkëpunëtorëve, duhen parë sa dëme i kanë sjellë shoqërisë. Meqë kemi dosje, kemi autoritete, kemi të gjitha levat, institucione, të shohin sa dëme kanë bërë dhe në bazë të tyre të mbahet qëndrimi dhe ndoshta jemi disa vonë, por janë të panevojshëm këta njerëz në institucione. Nuk mund të bëjmë demokraci me këta njerëz që bënë diktaturë.

Nuk ka komb pa kujtese- Shkrimtari i njohur ka nje apel:  Nuk ka komb pa kujtesë. Ne duhet të jemi aq të fuqishëm sa të kujtojmë se çfarë ishte e mirë dhe çfarë ishte e keqe. Çfarë ishte e mirë për ta çuar përpara dhe çfarë ishte e keqe për ta braktisur, denoncuar dhe për ta ditur për të mos u përsëritur.  Institucionet, shoqëria duhet të punojmë së bashku për kujtesën. Shpesh herë e kemi të mbrapshtë kujtesën. Kujtojmë gjëra që nuk duhen përsëritur, dhe na kap ndonjë krenari për atë të keqe që kemi bërë. Nuk e di por ndoshta aty ndihen të realizuar ata që kanë ushtruar të keqen. Nuk i duhet trembur fjalës edukim. Duhet punuar për edukimin me anë të librit, medias, bisedave, të kujtojmë të ndëshkojmë, (ndëshkim moral) të themi të vërtetën.

Beti Njuma: A është kjo 29 vite pas hapjes së Shqipërisë, a është kjo Shqipëria që ëndërronit

Visar Zhiti: Natyrisht që jemi larg ëndrrës, por është i bukur udhëtimi drejt ëndrrës, por jemi larg.


EMISIONET