Zyrtari i lartë i NATO-s: Raportet Kosovë-Serbi, ndër sfidat më thelbësore për rajonin

Zyrtari i lartë i NATO-s: Raportet Kosovë-Serbi, ndër sfidat

Zëvendësndihmësi i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s për çështje politike dhe të sigurisë, James Appathurai, thotë në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, se raporti midis Kosovës dhe Serbisë, mbase paraqet sfidën më thelbësore në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ai konfirmon se NATO-ja do të bëjë çmos për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje, përderisa thekson angazhimin e saj për të siguruar një mjedis të sigurtë në Kosovë.

Lidhur me masat e paralajmëruara nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për bashkëpunimin e ardhshëm me Forcën e Sigurisë së Kosovës, pasi institiconet e Kosovës miratuan ligjet për transformimin e saj në ushtri, Appathurai thotë se kjo çështje ende po diskutohet brenda NATO-s, mirëpo shpreh sigurinë se pasoja do të ketë.

"Nga mënyra sesi i shikoj gjërat, pasojat e vërteta kanë të bëjnë me mbështetjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës ose Ushtrisë së Kosovës. Sigurisht, ka edhe çështje më të mëdha politike që lidhen me mbështetjen tonë, për shembull mbështetjen tonë për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Por, NATO-ja është e përkushtuar për të siguruar një mjedis të sigurt, por edhe për të kontribuar në marrëdhënie më të mira midis Kosovës dhe fqinjëve të saj. Ne gjithashtu kemi marrëdhënie të jashtëzakonshme me Serbinë. Nuk kanë mbetur shumë sfida thelbësore në Ballkanin Perëndimor, por një prej tyre është marrëdhënia midis Prishtinës dhe Beogradit dhe zgjidhje e kësaj çështjeje. Prandaj, ne duam të bëjmë çmos për të kontribuar në këtë."

Zyrtari i lartë i NATO-s në këtë intervistë flet edhe për procesin e anëtarësimit të vendeve të rajonit në NATO përderisa për Serbinë thotë se paanshmëria politike ose mospërfshirja e saj ushtarake nuk e pengon Aleancën që të ketë marrëdhënie të mira me këtë vend

"Sinqerisht, ne nuk jemi në kërkim të anëtarëve të rinj. Qasja jonë është që ta lëmë derën e hapur për vendet që plotësojnë standardet dhe duan të bashkohen. Serbia e ka bërë të qartë 100 për qind se nuk është e interesuar për anëtarësim as tani, as në të ardhmen e afërt. Ne e respektojmë atë. Ne e respektojmë paanshmërinë e tyre. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Austrinë, Suedinë, Zvicrën, Finlandën, Irlandën. Paanshmëria politike ose mospërfshirja ushtarake nuk është problem për ne që të kemi marrëdhënie të mira praktike dhe politike me vendet që kanë një qasje të tillë." 

.

EMISIONET