Tashmë vjen edhe konfirmimi.

Cardiff City duhet të paguajë plot 6 milionë euro në arkat e klubit të Nantes. Bëhet fjalë për vlerën e kartonit të sulmuesit, Emiliano Sala, lojtarit që vdiq tragjikisht mbrëmjen e 21 janarit 2019.
Argjentinasi kishte kompletuar kalimin e tij në Premier League, por dy ditë pas atij transferimi, aeroplani me të cilin udhëtonte u përplas në det, duke i marrë jetën.

Deri në atë moment, transaksionet mes klubeve nuk ishin mbyllur dhe për këtë, klubi francez kishte kërkuar nga uellsianët që të paguante transferimin e sulmuesit argjentinas. Diçka e cila mori zgjidhje vetëm sot. Përmes një deklarate të publikuar pak minuta më parë, FIFA i jep dritën jeshile Nantes për të marrë shumën e rënë dakord për kartonin e tij. 

"Në një takim të mbajtur më 25 shtator 2019, Komiteti i Statusit të Lojtarit FIFA vendosi që Cardiff City duhet të paguajë Nantes 6 milion euro, që korrespondojnë me këstin e parë, në përputhje me me marrëveshjen e transferimit të lidhur midis palëve në 19 janar 2019 për transferimin e të ndjerit, Emiliano Sala nga FC Nantes në Cardiff. Rezultatet e vendimit u komunikuan sot palëve të interesuara. Brenda një periudhe dhjetë ditore, Cardiff dhe Nantes ata mund të kërkojnë një kopje të arsyeve të vendimit, të cilat mund të apelohen në CAS të Lozanës," mbyllet komunikata e FIFA-s.

Mjeti fluturues ku ndodhej Sala u përplas gjatë rrugës së sulmuesit nga Franca në Angli. Trupi i lojtarit u gjet rreth 10 ditë më vonë. Aktualisht piloti rezulton i zhdukur.

/Ora News.tv/