Zuckerberg kërkon ndjesë para seancës në Kongresin Amerikan

Zuckerberg kërkon ndjesë para seancës në Kongresin Amerikan

Mark Zuckerberg ka pranuar se Facebook ka dështuar në mbrojtjen e të dhënave të përdoruesve të kësaj platforme.

“Është e qartë se nuk bëmë mjaftueshëm për të parandaluar përdorimin e dëmshëm të këtyre mjeteve. Kjo vlen për lajmet e rreme, ndërhyrjen e huaj në zgjedhje, fjalimet e urrejtjes si dhe për privatësinë e të dhënave,” shkruante themeluesi i Facebook në dëshminë e tij, dorëzuar Komitetit amerikan të Tregtisë.

Kjo deklaratë e Zuckerberg vjen në prag të seancës së parë dëgjimore në Kongresin amerikan lidhur me privatësinë dhe përpjekjet e huaja për të manipuluar zgjedhjet presidenciale përmes Facebook. 

Pikërisht për të diskutuar këto çështje, 33-vjeçari është shfaqur në Capitol Hill, ku ai ka zhvilluar bisedime disa orëshe me disa senatorë dhe përfaqësues të Senatit të Tregtisë dhe Gjyqësorit.

Kujtojmë se kompania Facebook përballet me krizën më të rëndë të privatësisë në historinë e saj 14-vjeçare, pasi informatorët zbuluan se të dhënat e rreth 87 milionë përdoruesve kryesisht në Shtetet e Bashkuara, janë përdorur për qëllime politike nga zyra britanike e konsulencës Cambridge Analytica.

EMISIONET