Qindra banorë të Durrësit e gdhinë natën në sheshe publike ose makina për shkak të pasojës dhe frikës që la tërmeti i magnitudës 5.8 të shkallës Rihter dhe me intensitet 7.5 ballë.

Çarjet e pallateve, dëmtimet në banesa dhe lëkundjet që vijuan me intensitet më të ulët nuk u dhanë zemër të kthehen në shtëpi.

"Kam frikë me shku në shtëpi, me serum jam, po rrimë këtu jashtë."

"Këtu do të rrimë."

Mëngjesi i së dielës ishte më i qetë.

Ishte koha për të evidentuar dëmet brenda banesave.

"Gjithë natën jashtë, tani në mëngjes erdha këtu. Ça të shohësh, shtëpia ka marrë fund."

Pamjet në video tregojnë një prej 8 pallateve që kanë pësuar çarje në Durrës, ndërsa këto janë pasojat në një prej 188 shtëpive po ashtu të dëmtuara.

"Kur kemi dalë përjashta, kemi parë pallatin që luante si pema kur e luan era."

Dëmet thonë se janë të konsiderueshme, dhe për të marrë veten presin dorën e shtetit.

"Në çdo vend ka bërë plasaritje."

"Janë plasaritur muret, duke bërë punë jemi, prapë me frikë."

"Është hapur shtëpia, por çfarë të bëjmë."

Por në këtë fazë të parë të emergjencës, thonë se falenderues janë për faktin se nuk pati viktima.

"Zoti është i madh, të kishte zgjatur dhe pak…"

Tërmeti i së shtunës sipas ekspertëve ishte më i forti prej dekadash pas atij të 1979, por banorë të Durrës që kanë dyfishin e kësaj moshe, thonë se kurrë nuk e mbajnë mend një lëkundje të tillë.

"Jam 70 vjeç, si ky tërmet nuk kisha parë ndonjëherë."

E diela kaloi mes ankthit, frikës, por edhe marrjes së masave për çdo të papritur.

Stadiumi "Niko Dovana" u përshtat si bazë emergjence, duke u mbushur me çadra e shtretër për të pritur banorët që nuk kanë besim ta kalojnë natën e dytë në banesat e dëmtuara nga tërmeti.



/Ora News.tv/