Populli libanez vazhdon protestat kundër elitës politike, që ata e akuzojnë si të korruptuar dhe që po e çon ekonominë e vendit drejt kolapsit.

Mijëra protestues bashkuan duart përgjatë vijës bregdetare të Libanit, në përpjekjen për të krijuar një zinxhir njerëzor 170 kilometra të gjatë nga jugu në very.

"Ky varg njerëzish synon të tregojë se në zona të ndryshme të Libanit po ndodhin revolucione, dhe për herë të parë ne jemi të bashkuar dhe dorë-për-dore në kauzën tonë,"-deklaroi të dielën regjisorja dhe aktorja vendëse, Nadine Labaki.

Demonstratat për çështjet e tyre madhore hynë të hënën në ditën e 12-të, duke ngritur barrikada me orendi shtëpie apo makina për të bllokuar rrugët.

"Realisht nuk kam parë një qeveri kaq të ulët sa kjo jona. 12 ditë në rrugë, të dielën e kaluar ishin 2 milionë veta. Kemi 30 vite që dëgjojmë premtimet e këtij shteti gënjeshtar, hipokrit dhe të korruptuar. Pa u dorëhequr qeveria apo pa pasur një ndryshim të dukshëm, ne rrugët nuk i lirojmë,"-deklaroi një student 21-vjeçar.

Mobilizimi qytetar kryesisht i brezit të ri është tentuar të shpërndahet me ndihmën e ushtrisë prej 17 tetorit.

Të nxitur fillimisht nga një propozim zyrtar për taksimin e telefonatave me celular, aktivistët tani kërkojnë zëvendësimin e lidershipit politik që mbetet i pandryshuar prej gati tridhjetë vitesh.

Të hënën kryeministri libanez, Saad Hariri, njoftoi një sërë reformash për të rivitalizuar ekonominë por përjashtoi krijimin e një vakuumi politik përmes dorëheqjes, pasi në kohë trazirash, kjo do e çonte vendin në kaos.


/Ora News.tv/