Në 8 maj Universitetet do të zgjedhin drejtuesit e rinj. Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, tha se kandidatët duhet të jenë me integritet të lartë akademik, ndaj kërkoi nga këshillat e etikës që të kryejnë kontroll të titujve akademikë dhe gradave shkencore.

Shahini: Të bëjnë kontrollin e ligjshmërisë të marrjes së gradës shkencore dhe titullit akademik për të gjithë kandidatët, duke përfshirë këtu edhe kontrollin antiplagjiaturë të produkteve me të cilat kandidatët kanë fituar gradën dhe titullin akademik.

Shahni njoftoi se së shpejti do të rihapet cikli i tretë i studimeve, atyre doktorale. Për programet e reja universitetet duhet të aplikojnë pranë Ministrisë brenda datës 15 shkurt, ndërsa programet ekzistuese duhet të riorganizohen sipas ligjit për arsimin e lartë.

Shahini: Për përfitimin e gradës shkencore Doktor kemi mbajtur të njëjtat kritere që kanë qenë në vendimin e mëparshëm të Këshillit të Ministrave. Studenti duhet të botojë tre artikuj në revista shkencore me ndryshimin e vetëm që një nga këta artikuj duhet të jetë i botuar në revista që kanë peshë në botën akademike.

Ministrja u ndal edhe tek situata në Universitetin e Tiranës për të cilin akuzoi drejtuesit se refuzojnë të zbatojnë  ligjin dhe të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, duke krijuar vështirësi në funksionimin e këtij institucioni.

/Ora News.tv/