Zgjedhjet në Kosovë, Valdete Daka: Certifikimi vonohet deri në dhjetor

Zgjedhjet në Kosovë, Valdete Daka: Certifikimi vonohet deri në

Kontestimi i rezultatit të zgjedhjeve në Kosovë pritet ta vonojë konstituimin e parlamentit deri në fillimin e dhjetorit. Kryetarja e KQZ-së në Prishtinë thotë se nëse situata vijon, nuk përjashtohet as mundësia e rinumërimit total të votave.

Zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë u cilësuan shembullore për mbarëvajtjen në tërësi, por ankesat e vazhdueshme të subjekteve po vonojnë shpalljen e rezultateve.

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, në një intervistë me televizionin vendor RTK, thekson se certifikimi i procesit dhe si rezultat edhe ardhja në detyrë e qeverisë se re mund të shtyhet deri në dhjetor.

Sipas saj, ekziston edhe mundësia që të gjitha votat të numërohen nga fillimi.

Numërimi i mbi 4,600 votave të kontestuara të diasporës mbetet sfida më madhore me të cilën po përballet aktualisht KQZ-ja në Kosovë.

Gjykata Supreme një ditë më parë doli në krah të Lëvizjes Vetëvendosje duke urdhëruar marrjen e tyre parasysh, me gjithë kundërshtimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa se kishin mbërritur jashtë afatit kohor të përcaktuar me ligj.

Me certifikimin e rezultateve, parashikohet konstituimi i parlamentit dhe prezantimi i kabinetit të ri qeverisës.

Ndërkaq, dy aleatët fitues, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës vijojnë mbledhjet me grupet e punës për të ndarë pozitat ministrore dhe pikat programore për mandatin e ardhshëm, nën udhëheqjen e kandidatit për kryeministër Albin Kurti.

EMISIONET