Zgjedhjet me 23 apo 30 qershor? Meta konsultohet me partitë për vendoret

Presidenti, Ilir Meta, ka thirrur në konsultime krerët e grupeve parlamentare të partive kryesore për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme lokale.

Konsultimet nisën sot në orën 11:15 me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. 

Plot 30 minuta pas daljes nga Presidenca, Balla duke e falenderuar Metën për vijimin e kësaj tradite të krijuar ndër vite tha se kodi zgjedhor e përcakton qartë se zgjedhjet mund të mbahen të dielën e parafundit ose të fundit të qershorit, pra 23 ose 30 qershor.

Por, shtoi ai, diskutimi është përqëndruar në një propozim të operatorëve turistikë, të cilët kanë kërkuar një datë më të hershme se fundqershori.

Balla: Duke e falenderuar Presidentin për vijimësinë e një tradite shumë vjeçare. Kodi zgjedhor është i qartë në përcaktimin e sezonit zgjedhor prill-maj-qershor, duke përcaktuar dy të dielat e fundit të qershorit si dy datat e mundshme të zhvillimit të zgjedhjeve vendore.

Ka pasur nga operatorët turistikë një kërkesë të kahershme për një datë më herët se fund qershori, por sigurisht kjo është një çështje që i takon dakordësisë mes të gjithëve. Presidenti i Republikës do të bëjë këtë proces konsultash dhe shumë shpejt do të kemi datën. Ne nuk propozojmë datë sepse datën e përcakton Presidenti dhe kodi zgjedhor.

Pas Ballës, Meta zhvilloi konsultime me kreun e grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho. Ky i fundit nuk foli për mediat. 

Pas tij në presidencë mbërriti Luan Ramën nga LSI.

Në orë 13:30 pas takimit zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama tha se problemi i zgjedhjeve nuk është data por lidhja e qeverisë me krimin. Rama nuk dha  një qëndrim të qartë nëse LSI do të marrë pjesë në zgjedhje apo jo, por tha se me këto kushte zgjedhjet do të jenë vetëm formale. 

Luan Rama: "Ndava me të shqetësimin që nuk është vetëm i LSI-së dhe i opozitës që problemi i zgjedhjeve në Shqipëri nuk është data por standardi dhe cilësia e tyre dhe ajo çfarë është më e rëndësishmja është pastrimi i i zgjedhjeve nga interferenca, lobimi dhe trafikimi e blerja e grupeve kriminale. Një pushtet që buron nga veprimtaria dhe lobimi kriminal nuk mund të bëjë tjetër veçse të kthejë reston kriminale. Përsa kohë qeveria nuk  ka vëmendje për të pastruar veten dhe zgjedhjet nga krimi gjithçka tjetër është formale. Ky vend i mbytur nga kriminaliteti nuk ka nevojë për zgjedhje formale por reale. Zgjedhje që garantojnë shprehjen e vullnetit të qytetarëve dhe jo të grupeve kriminale"




Sipas Kodit Zgjedhor presidenti dekreton datën e zgjedhjeve jo më vonë se 9 muaj nga data e mbarimit të mandatit të pushtetit vendor të shpallur me vendim të KQZ-së. Kjo do të  thotë se presidenti ka kohë deri më 10 nëntor për të vendosur datën që me ligj duhet të jetë 23 ose 30 qershori.

EMISIONET