Zgjedhjet e 30 qershorit, Rama: Të shtunën konsolidojmë listën e kandidatëve

Zgjedhjet e 30 qershorit, Rama: Të shtunën konsolidojmë

Në të njëjtën ditë me protestën e opozitës pritet të përmbyllet lista e plotë e kandidatëve të PS për 61 bashkitë e vendit për zgjedhjet e 30 Qershorit.

Rama: Sot kemi kemi bërë një diskutim paraprak, për t'i paraprirë vendimmarrjes së ditës së shtunë ku do të konsolidojmë të gjithë listën për kryetarë të Bashkive, si dhe për këshillat bashkiakë. Për kryetarët e Bashkive do të vendosim emër për emër ditën e shtunë, për këshillat bashkiakë do të konsolidojmë të gjitha kriteret dhe pastaj do të mandatojmë të deleguarit sipas qarqeve që të dorëzojnë sipas afatit listën e kandidatëve për të gjithë këshillat. 

Pas mbledhjes së Kryesisë, kryesocialisti Edi Rama u shpreh se PS do të shkojë në zgjjedhje për ti fituar të gjitha bashkitë.

Rama: Në 30 qershor ne do të kërkojmë votën në të gjithë bashkitë e vendit, për të marrë një mandat për 4 vitet e ardhëshme në drejtimin e miundësiht 61 bashkive.

Por shefi i socialistëve u shpreh i keqardhur për situatën e pazakontë në të cilat do të zhvillohen.

Rama: A jam i mërzitur që s’do ta kem përballë?! Duhen gjëra shumë të mëdha që unë të mërzitem. Unë jam sigurisht i keqardhur, patjetër, që opozita e Partisë Demokratike dhe e simotrës së saj të vogël, Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka vendosur të shkojë në një rrugë pa krye. Është një moment sigurisht i pazakontë, por ka gjithë potencialin e vet për të krijuar një situatë të re politike.

Kryeministri e përjashton mundësinë e një marrëveshje tjetër si ajo e 17 majit në 2017 me liderin e PD-së Lulzim Basha. Zgjidhjen e kësaj situate politike Edi Rama e gjen tek sistemi zgjedhor.

Rama: Ka ardhur koha që t’i besojmë plotësisht sistemit që kemi zgjedhur dhe të mos kërkojmë më zgjidhje ad-hoc për një krizë të krijuar artificialisht, që pastaj të ketë një tryezë, që pastaj të ketë një zgjidhje, që pastaj të dalin përfitime, sepse me sa duket, më shumë sesa na ka rritur dhe na ka fuqizuar demokratisht, kjo nuk na ka lënë të rritemi aq shpejt sa duhet dhe të jemi aq të fortë në konstitucionin tonë demokratik, përderisa arrijmë e diskutojmë akoma në këtë formë, - jo ju, se ju këtë detyrë keni, por flas në debatin politik, - se çfarë ndodh kur një parti bën kështu, apo një parti bën ashtu në raport me të tërën. Në raport me të tërën nuk ndodh asgjë. Në raport me atë parti, apo një parti tjetër, konsekuencat janë të natyrës politike dhe janë konsekuenca që i përcakton sjellja e zgjedhësve të tyre.

Të premten Edi Rama do të mbledhë delegatë e PS, ndërsa të shtunën paradite pritet të zhvillojë mbledhjen e Kryesisë ku do të bëhen edhe ndryshimet e fundit në listën për kandidatë.


EMISIONET