Zëdhënësja e Trump përlotet pas pyetjes së një 13-vjeçari për sigurinë në shkolla

Zëdhënësja e Trump përlotet pas pyetjes së një

Çfarë po bën konkretisht presidenti Donald Trump për të mbrojtur fëmijët nga episodet e të shtënave në shkolla? Kjo pyetje e një djali 13-vjeçar, gjatë një konference në Shtëpinë e Bardhë, ka bërë që zëdhënësja Sarah Sanders të prekej. Duke u përpjekur të ndalte lotët, ajo i ka shpjeguar 13-vjeçarit hapat që administrata Trump planifikon të ndërmarrë për të garantuar sigurinë e fëmijëve në shkolla.

Një pyetje lidhur me përpjekjet e administratës Trump për të mbrojtur fëmijët nga të shtënat në shkolla, e ka gjetur të papërgatitur zëdhënësen e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders, gjatë një konference për shtyp.

“Diçka që prek shëndetin tim mendor dhe të nxënësve të tjerë, është shqetësimi për faktin se ne ose miqtë tanë mund të qëllohen në shkollë. Çfarë mund të më thoni se ka bërë dhe do të bëjë administrata për të parandaluar këto tragjedi të pakuptimta?” ishte pyetja e 13-vjeçarit Benjamin Choucroun.

Dukshëm e prekur, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, mama e tre fëmijëve, u përgjigj:

“Mendoj se si fëmijë, dhe natyrisht si prind, nuk mund të ketë gjë më të tmerrshme se një fëmijë që shkon në shkollë dhe nuk ndihet i sigurtë. Më vjen keq që ndihesh kështu.” Sanders shtoi se komisioni i presidentit Donald Trump për sigurinë në shkolla, planifikon të takohet këtë javë për të diskutuar lidhur me çështjen.

13-vjeçari Benjamin Choucroun, korrespondent i revistës “Kohë për Fëmijët” ndodhej në Shtëpinë e Bardhë për të raportuar mbi një event fitnesi, por kurioziteti e çoi atë në sallën e konferencave, vetëm pak para se Sanders të fillonte sesionin e pyetje-përgjigjeve me gazetarët.


EMISIONET