Zëdhënësja e Komisionit Evropian për çështje të zgjerimit, Ana Pisonero, përmes një postimi në rrejtin social Twitter, tha se rrëzimi i qeverisë e shpie Kosovën në një situatë të vështirë politike në kohën e përballjes me koronavirusin.

Ajo bëri thirrje që liderët politikë të veprojnë me përgjegjësi në interesin e popullit.

“Ajo cfarë i duhet Kosovës është stabilitet dhe përpjekje për të luftuar koronavirusin dhe mbrojtje të shëndetit të qytetarëve. Hapat tjerë pas votës së mosbesimit duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, tha ajo.

Kuvendi i Kosovës më 25 mars me shumicë votash miratoi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

Mocioni u paraqit me iniciativën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Shkas për këtë, sipas zyrtarëve të LDK-së, ishin mospajtimet mes partnerëve të koalicionit për shfuqizimin e tarifës ndaj mallrave serbe dhe shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut nga ana e kryeministrit Kurti.

/Ora News.tv/