Psikologu Ylli Pango tha se tërmeti i 26 nëntorit do shkojë në harresë sociale.

I ftuar në emisionin Ekopolitikë në RTV Ora, Pango u shpreh se nga tërmeti janë prekur pakica e njerëzve dhe jo shumica ndaj do harrohet nga mendjet e njerëzve.

Ylli Pango: “Për fat të keq është një provë kundra, tërmeti i shtatorit. Ndodhi dhe jo vetëm që nuk u fiksua në kujtesë si diçka që ta themi në mënyrë vulgare, shyqyr që shpëtuam por tani të kemi kujdes, por thamë që kaq ishte.

Tani ky ishte shumë i fortë, pasojat janë më dramatike, efektet psikologjike janë shumë më të rënda. Por ndoshta për fat të keq, e kam këtë frikë, mundet që të zgjasë pak më tepër periudha e kujtesës, pak më tepër dhe prapë të kalohet në harresë. Sido që të jetë puna, drama e njerëzve që u dëmtuan është shumë e rëndë por janë në pakicë. Duke qenë një shumicë e madhe e paprekur, kjo lloj shumice iku, edhe pa pësuar gjë, kanë ikur. Janë mbushur avionit, tragetet.

Kjo pjesë edhe mund të ndikojë në të përditshme që prapë të harrohet. Por unë jam i sigurt që kjo 10.000, këto fatzinj nuk do e harrojnë. Problemi është të mos e harrojë 3 milionë, 2 milionë sepse mund tu ndodhë atyre nesër. Nuk mëson dot kurrë për fat të keq nga përvoja e tjetrit. Dhe ne shqiptarët e kemi tipike këtë.

Mjafton që ajo shtëpia aty përbri nuk është e imja, pavarësisht se është shumë afër simes, meqë nuk më goditi mua jam i qetë.

Njerëzit ndjekin modelet e caktuara dhe veprojnë sipas modeleve. Çuditërisht në rastet tona ne nuk veprojmë dot  përveç modeleve personale ose atyre që janë shumë të prekshme, të momentit. Ne harrojmë që bota është shumë e gjerë, që çdo model, çdo eksperiencë është me vlerë.”


/Ora News.tv/