Shqipëria luan sot një duel mjaft delikat, ku pret në stadiumin "Air Albania Stadium" kampionët e Botës, Francën. Një sfidë historike kjo, duke ditur që ky 90 minutësh është i pari zyrtar në këtë stadium.

Në shkallët e impiantit nuk do të mungojnë as personalitete të futbollit botëror, ku bie në sy, prezenca e presidentit të UEFA-s, Aleksandër Ceferin. Fakt që sipas opinionistit, Xhevdet Zekaj tregon edhe njëherë marrëdhënien e mirë mes Federatës sonë dhe UEFA-s.

Në studion e lajmeve të "Rtv Ora", Zekaj parashikoi edhe rezultatin e kësaj sfide, ku sipas tij, kuqezinjtë do të humbasin, por ky nuk do të jetë një turp.

"Federata Shqiptare e Futbollit është bërë një ndër institucionet më me zë në Botë dhe në Republikën e Shqipërisë. Ardhja e Ceferin në Shqipëri është një sinjal i mirë në respekt edhe të vlerave që ofron futbolli shqiptar, por edhe për faktin për të treguar se futbolli është bërë një superfuqi ekonomike. Është një gjë e mirë edhe për edukimin fizik të të rinjve, të të rriturve dhe si qënie sociale e në shumë aspekte. Kjo tregon edhe njëherë vizionin e ri që ka edhe vetë UEFA në raport me Federatat e vogla në raport me shtetet e vogla. Dhe kjo ka qënë edhe një ndër sukseset e Ceferin në krye të presidencës së UEFA-s. Kjo tregon edhe raportet e mira që ka edhe vetë, Armand Duka me të. Humbje dinjitoze do të kemi edhe sot. Por sot nuk është turp që të humbasësh. Ajo që na bëri Andorra pse mos t'ia bëjnë ne Francës"  tha mes të tjerash, Zekaj.

/Ora News.tv/