Nëse nisma e Partisë Socialiste do të votohet në parlament deri në fund të këtij muaji, opozita është e gatshme të votojë ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit. Sekretari për çështjet ligjore në Partinë Socialiste Fatmir Xhafaj tha se me shtryrjen për shqyrtimin e paketës së PS-së, kryeministri po mban peng procesin integrues të vendit. Për këtë arsye Xhafaj paralajmëroi se pas 10 muajsh do të jenë qytetarët ata që do të vendosin për pavarësinë e institucioneve dhe funksionimin e demokracisë në vend.   “Çudia e opozitës është shtyrja e nismës nga deputetët e mazhorancës me arsyetimin se u duhet kohë e mjaftueshme që të njiheshin me projektin. Kërkuan kohë për shqyrtimin e paketës kur një ditë më parë e kishin cilësuar si paçavure. Kërkuan kohë ata që prej ditësh e kanë pasur në dorë projektligjin por si ushtar të bindur të kryeministrit votojnë ligjet që kanë ardhur në parlament të hënën dhe i votojnë të enjten. Ata që çirren për imunitetin, për integrimin, për afatet që po ikin sigurisht pas shtyrjes së paketës së PS-së nuk kanë më të drejtë të bërtasin se ditët po ikin dhe imuniteti nuk po miratohet. Kryeministri nuk duhet të drejtojë më gishtin nga opozita se po bllokon.  Kryeministri nuk e do realisht kufizimin e imunitetit. Bashkimi Europian nuk mund ta pranojë këtë përqendrim të pushtetit. Berisha ka si qëllim të kontrollojë institucionet e pavarura të drejtësisë", u shpreh Xhafa.   Deputeti socialist iu referua edhe ligjit për shërbimin civil dhe atij për adminsitratën publike ndërsa tha se pritet të shqyrtohet në Kuvend , kur ende qeveria nuk i ka sjellë në komisionet parlamentare.   Dy ditë më parë me votat e mazhorancës këshilli i legjislcionit miratoi nisjen e shqyrtimit të paketës së opozitës pas dy javësh, duke kërkuar kohë për tu njohur me propozimet e bëra.

/Ora News.tv/