Xhaçka apelon qytetarët për durim: Do verifikojmë çdo banesë

Xhaçka apelon qytetarët për durim: Do verifikojmë

Banorët e prekur nga tërmeti janë akomoduar në 9 qendra pritëse në Tiranë e Durrës. Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në një raportim të fundit gjatë mbrëmjes së sotme tha se 30 persona janë vetëm në çadrat e ngritura në stadiumin e Durrësit.

Xhaçka: Në bashkinë Tiranë janë ngritur 6 qendra pritëse ndërsa në bashkinë Durrës 3 qendra pritëse, përkatësisht Shtëpia e Pushimit e Ministrisë së Mbrojtjes ku aktualisht po qëndrojnë 9 familje, Shtëpia e Pushimit e Ministrisë së Brendshme dhe Stadiumi "Niko Dovana" i Durrësit ku FA kanë ngritur çadrat dhe ku janë duke qëndruar 30 persona.Unë dua t’i garantoj qytetarët që i gjithë shteti eshtë në këmbë për të përballuar këtë situatë e për t’i mbështetur ata në këto orë të vështira.

Ministrja ftoi të gjithë ato familje, banesat e të cilave janë dëmtuar dhe që për shkak të kohës shumë të shkurtër nuk janë kontaktuar ende personalisht nga ekipet në terren për të marrë një akt vlerësimi teknik të sigurisë së banesave, që të shfrytëzojnë mundësinë që ju kanë krijuar FA por edhe Bashkitë Tiranë e Durrës për strehim.

Xhaçka tha se të gjithë familjet e prekura, në secilën prej 915 banesave dhe pallateve të dëmtuara, janë kontaktuar ose po kontaktohen nga ekipe, të cilave u janë atashuar edhe specialistë të institutit të ndërtimit, psikologë dhe punonjës socialë.

Sipas raportimeve të deritanishme, Ministrja nënvizoi se në pjesën dërrmuese të këtyre rasteve bëhet fjalë për dëmtime të lehta, kryesisht plasaritje të suvasë apo mureve.

Gjithsesi, shtoi ajo, ato godina qe ndërkaq jane te evidentuara me dëmtime me serioze do të verifikohen me prioritet nga ekspertët, të cilët do të japin edhe akt verifikimin teknik që përcakton nëse ato jane te banueshme apo jo.

I njëjti proces verifikimi, tha Xhaçka,  po ndodh aktualisht për çdo urë e rrugë, për të gjithë infrastrukturën strategjike, për çerdhet e kopshtet dhe shkollat te cilat rezultojnë pa probleme.

Numri një i Ministrisë së Mbrojtjes pati dhe një përgjigje për akuzat e shumta të adresuara nga qytetarët në drejtim të inspektorëve të verifikimit të dëmeve.

Xhaçka: Unë u kërkoj të gjithë atyre qytetarëve që ende nuk janë vizituar në person nga ekipet e verifikimit, që të bëjnë edhe pak durim pasi zona e prekur nga goditja e tërmetit është mjaft e madhe dhe koha që ka kaluar shumë e shkurtër.

Gjithashtu, duke pasur parasysh numrin e madh të banesave që janë raportuar si të dëmtuara, dhe faktin që verifikimi i tyre mund të bëhet vetëm nga ekspertë e profesionistë të fushës, dua të përsëris këtu thirrjen, që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u ka bërë të gjithë kompanive të ndërtimit, për të na mbështetur me kapacitete inxhinierike në procesin e nisur nga Insituti i Ndërtimit, për akt verifikimin e çdo banese të dëmtuar. Shtimi i këtyre kapaciteteve me inxhinierë vullnetarë do të bëjë të mundur përfundimin e këtij procesi brenda kësaj jave.

Xhaçka tha se në terren janë dhjetëra ekipe të shtabeve të emergjencave pranë prefekturave e bashkive, 1400 efektivë të Policisë së Shtetit, disa qindra efektivë të Policive Bashkiake të Durrësit e Tiranës, 500 efektivë të Forcave të Armatosura të atashuar pranë ekipeve të terrenit apo në gjendje gatishmërie sipas nevojës.

Përgjatë 24 orëve të fundit kanë zbritur në terren ose kanë qëndruar në gjendje gatishmërie maksimale disa dhjetëra ekipe mjekësore me staf të përforcuar që po kontrollojnë situatën, po kontaktojnë me qytetarët dhe kanë asistuar të gjithë qytetarët e lënduar apo që kanë kontaktuar për të kërkuar ndihmë mjekësore.

Xhaçka: Tërmeti i djeshëm ka shkaktuar shumë frikë e shumë traumë tek qytetarët. Kjo është arsyeja, përse për herë të parë, këtyre ekipeve ju janë atashuar edhe psikologë e punonjës socialë që janë të trajnuar për të trajtuar situata të tilla dhe që janë në dispozicion të qytetarëve në Tiranë e Durrës, të cilat kanë qenë edhe zonat më të prekura nga tërmeti.

Në total, në rajonin Tiranë Durrës këto ekipe janë mbështetur nga 25 autoambulanca që vazhdojnë të qëndrojnë në gatishmëri edhe tani që flasim. Ekipet mjekësore gjatë 24 orëve të fundit kanë asistuar në 295 misione për t’ju ardhur në ndihmë banorëve edhe pse fatmirësisht, në thuajse 100% të rasteve bëhej fjalë për situata mjekësore jo të rënda dhe që s’kanë pasur nevojë për ndjekje të mëtejshme.

EMISIONET