Pak para se të nisë takimi mes dy partive, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, në përpjekje për të formuar qeverinë e re, lideri i partisë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit Albin Kurti është shprehur optimist për arritjen e marrëveshjes për koalicionin e ardhshëm qeverisës, por pa e konfirmuar se ajo do të ndodhë sot.

Kurti tha se ashtu siç janë pajtuar 100% në çështjet programore, ashtu të merren vesh në ndarjen e përgjegjësisë në institucione.

“Sot do t’i vazhdojmë bisedimet për formimin e qeverisë së re në të cilën unë si kryeministër i Republikës së Kosovës do t’i kem 12 ministri në kabinetin qeveritar. Këto bisedime do t’i zhvillojë me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa. Deri më sot ne kemi harmonizuar programin tonë qeverisës në mënyrë të plotë, pra 100%. Uroj dhe besoj ashtu siç jemi marrë vesh në programin tonë të përbashkët, ashtu do të merremi vesh për ndarjen e përgjegjësive në ekzekutiv të atyre 12 ministrive që jemi marrë vesh. 

ëto bisedime do të vazhdojnë gjatë ditës sotme. Kur të kemi rezultate konkrete natyrisht që do t’i njoftojmë. Tash na pret procesi i bisedimeve me ç’rast kemi zotimin tonë se sa më parë, sa më shpejt gjithçka të përfundojë ashtu siç e dëshirojmë dy subjektet”, tha Kurti.

Lideri i VV-së i pyetur se a do të nënshkruhet marrëveshja bashkëqeverisëse sot, tha se ai nuk mund të flasë për palën tjetër.

“Marrëveshja është marrëveshje mes dy palëve. Kështu që unë nuk mund të flas edhe në emër të palës tjetër. Kur të merremi vesh do të kemi marrëveshje dhe do t’ju njoftojmë”, tha ai.

Teksa veçse ka filluar takimi sy më sy mes dy liderëve Kurti-Mustafa në përpjekje për të arritur marrëveshjen për qeverinë e ardhshme./KosovaPress/

/Ora News.tv/