VV akuzon Thaçin për presion ndaj Kushtetueses, Kurti: Kemi një President idhnak dhe plot vrer

VV akuzon Thaçin për presion ndaj Kushtetueses, Kurti: Kemi një

Klasa politike në Kosovë është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që përcakton të ardhmen e pushtetit ekzekutiv. Lëvizja Vetëvendosje thotë se po ushtrohet presion për dekretin e presidentit Hashim Thaçi.

Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë pretendon se Gjykata Kushtetuese po përballet me presionin për të gjykuar në favor të një dekreti presidencial që do e zëvendësonte kryeministrin aktual, Albin Kurti.

Akuzat vijnë nga Albulena Haxhiu, Ministre në detyrë e Drejtësisë, njëkohësisht anëtare e kryesisë së Vetëvendosjes.

Më 30 prill, pas konsultimeve politike, presidenti Hashim Thaçi njoftoi dekretimin e ligjvënësit të LDK-së, Avdullah Hoti, për postin e ekzekutivit, përderisa qeveria e Kurtit humbi votëbesimin e parlamentit.

Gjykata këtë muaj e pezulloi dekretin dhe ka paralajmëruar një qëndrim final para datës 29 maj.

"Kemi dëgjuar se ka shumë presione që po i bëhen gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Është koha e fundit kur duhet t’i kthehet dinjiteti, por edhe integriteti sepse jo rrallë herë nga kjo gjykatë kanë dalë vendime aspak kushtetuese. Kjo lëndë që ka para vetes është një ndër lëndët më të rëndësishme që është përballur ndonjëherë. Ka ndikim jashtëzakonisht shumë ndikim afatgjatë."

Ndërsa te Vetëvendosja shprehen të bindur se argumentet juridike qëndrojnë në anën e tyre, akuzat për presion ndaj Kushtetueses i drejtoi një ditë më parë edhe kreu i shtetit, Thaçi, por ndaj klasës politike, pa e specifikuar Vetëvendosjen.

Kryetari i saj, Albin Kurti, i propozoi Presidentit që t'i përkushtohet me kohë më të plotë luftës politike që ai ka nisur me të, por duke filluar me dorëheqjen.

"Fatkeqësisht kemi një President idhnak për plot vrer, i cili ministrit të Shëndetësisë dëshiron ti bëhet mjek, Ministrit të Punëve të Jashtme ti bëhet ministër, mua si kryeministër në detyrë të më bëhet mbret. Ndërkaq prokurorëve t'iu bëhet gjykatës. Kam përshtypjen se ai ka hyrë në një udhë që shpreson se do t’i dhimbset popullit. Por kjo gjë varet nga populli."

Kurti ka deklaruar se zgjedhjet e reja do e nxirrnin vendin nga ky ngërç politik e kushtetues.

Në prag të vendimit të Kushtetueses, Lidhja Demokratike si ish-aleate e Vetëvendosjes synon ta qeverisë vendin në koalicion me partitë AAK, me Nismën Socialidemokrate dhe pakicën minoritare.

EMISIONET