Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se para Serbisë ndodhet një periudhë e vështirë e qasjes së saj ndaj çështjes së Kosovës. Ai i bëri këto komente në Bruksel pas një takimi me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, në të cilin është diskutuar për përparimin e Serbisë drejt integrimeve evropiane, proces që varet shumë nga marrëdhëniet e saj me Kosovën, që është edhe një nga kapitujt kryesor në negociatat e Serbisë për anëtarësim.

"Kapitulli i 35-të, përshkon edhe kapituj të tjerë dhe nuk do të mbyllet derisa të mos ndodhë normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit e Prishtinës, siç themi ne, apo Kosovës dhe Serbisë, siç thonë ata. Kjo është një detyrë tepër e vështirë për një kokë, për disa njerëz. Në të duhet të përfshihet tërë populli ynë, të gjithë qytetarët tanë - prandaj e kemi dialogun e brendshëm. Në dy tubime kam dëgjuar qëndrime tërësisht të ndryshme, por është rasti të mësojmë disa gjëra dhe po të kishim mend që ta bëjmë këtë para 1- apo 12 vjetësh, mbase disa gjëra do të ishin ndryshe sot. Pra, gjërat të më të rënda na presin", tha ai.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që është shpallur në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e vendeve kryesore euro-perëndimore, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian.

Presidenti serb ka theksuar vazhdimisht se vendi i tij synon integrimet evropiane por njëkohësisht dëshiron të ruaj marrëdhëniet me Rusinë, aleate tradicionale e Serbisë e cila kundërshton po ashtu pavarësinë e Kosovës dhe nuk e sheh me sy të mirë afrimin e vendeve të Evropës Juglindore me strukturat euro-atlantike.

Presidenti serb ritheksoi të mërkurën qëndrimin se Serbia do të mbetet ushtarakisht e paanshme. Ai u prit në selinë e NATO-s ku është diskutuar për situatën në rajon por edhe praninë e trupave të aleancës në Kosovë, e cila sipas presidentit serb, është me rëndësi të jashtëzakonshme për të siguruar popullatën serbe por edhe tempujt e saj në Kosovë.

Ai tha në një takim të përbashkët me gazetarë ne sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg se Serbisë nuk i duhet "krijimi i problemeve politike në rajon".

Gjatë javës, autoritetet në Serbi reaguan me zemërim ndaj anëtarit të presidencës së Bosnjës, Bakir Izetbegoviç, i cili u shpreh në favor të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Zyrtarët serbë paralajmëruan për të enjten më 16 nëntor edhe mbledhjen e këshillit kombëtar të sigurisë, pas deklaratës së zotit Izetbegoviç, i cili në një intervistë dhënë "Deutsche Welle" tha se sa i përket atij "Kosova është dashur të njihej. Tani do të zemërohen kolegët e mi, ndërsa përpjekjet tona që kjo të ndodhë ka sjellë probleme në Bosnjë, ndërsa nuk i kanë ndihmuar Kosovës", tha ai.

I pyetur nga gazetarët nëse Bosnja do ta njohë Kosovën, ai u përgjigj: "shpresoj që po".

Por, agjencia shtetërore serbe e lajmeve, Tanjug dhe një pjese e medieve serbe shkroi se ai në përgjigjen e tij kishte thënë "po".

Bosnja, përveç Serbisë, është vendi i vetëm në rajon që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës me të cilën ka edhe një regjim vizash. Sarajeva nuk mund të marrë vendim meqë pavarësia e Kosovës kundërshtohet nga Republika Sërpska, një nga tri entitetet e Bosnjës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se deklarata për Kosovën e zotit Izetbegoviç, është komplekse dhe me pasoja që duhet të merren seriozisht parasysh.

"Shumëçka ka ndryshuar pas asaj interviste dhe nuk bëhet fjalë vetëm për shpresën e tij për njohjen e Kosovës".

Ai tha se do ta dërgonin në Hagë për 15 ditë, "nëse, mos e dhashtë Zoti, do të thosha se Republika Sërpska duhet të jetë e pavarur".

/Voa/

/Ora News.tv/