Vuçiç dhe i vëllai nën akuzë për kultivim droge

Vuçiç dhe i vëllai nën akuzë për kultivim

Kryebashkiaku i qytetit Novi-Sad në Serbi ka kallëzuar presidentin Aleksandar Vuçiç dhe vëllanë e tij për përfshirje në kultivimin e marijuanës. Presidenti dyshohet se ndikoi që një fermë për rritjen e kanabisit mjekësor të subvencionohej nga shteti, por një muaj më parë aty u gjetën edhe bimë narkotike.

Një zyrtar serb ka kallëzuar presidentin Aleksandër Vuçiç dhe vëllanë e tij për lidhje të dyshimta me kultivues dhe trafikantë të marijuanës në vend.

Njeriu i afërt i presidentit dhe kryebashkiaku i Novi-Sadit, Milosh Vuçeviç, tha se qëllimi i tij është të pastrojë figurën e kreut të shtetit nga akuzat.

Opozita pretendon se dy vëllezërit Vuçiç kanë pasur dijeni e kanë ofruar subvencione për aktivitetin e një ferme organike në kryeqytet, ku muajin e kaluar do të sekuestroheshin afro 4 tonë bimë marijuane.

Para arrestimit dyshohet se pronari i fermës telefonoi vëllanë e presidentit, por autoritetet e mohojnë këtë fakt.

"Dua t'ju njoftoj se sapo regjistrova paditë personale kundër Aleksandër dhe Andrej Vuçiç. Vëllezërit Vuçiç thuhet se janë përfshirë në kultivimin e lëndëve narkotike në një fermë të Jovanicës. Është lajm shqetësues që nuk duhet të na lërë indiferentë. Qytetarët duhet të dinë të vërtetën dhe sa më shpejt," deklaroi Vuçeviç.

Grupimet opozitare e quajnë nismën e anëtarit të partisë në pushtet një farsë politike.

Presidenti Vuçiç thotë se nismën e urdhëroi vetë për t'i dhënë fund gënjeshtrave pasi deklaratat e tij mohuese nuk po merren parasysh prej javësh.

Kreu i shtetit prej gati një viti përballet me protestat e lëvizjes "1 në 5 milionë" për stilin e tij autoritar, por sondazhet e nxjerrin si politikanin më popullor.

EMISIONET