Gjykata për Krime të Rënda ka lënë në burg ish-punonjësin e një pike bastesh në Tiranë në lidhje me vrasjen e Santiago Malkos.

39-vjeçari, Blendi Teta, është i vetmi person i arrestuar për vrasjen e ish-efektivit Santiago Malko, i cili akuzohet për "moskallëzim krimi.

Masa për Tetën u rivlerësuar tek Krimet e Rënda, pasi dosja kaloi për kompetencë në këtë prokurori.

39-vjeçari Teta mësohet se ka qenë punonjës i një pike bastesh aktivitet në të cilin dyshohet se ishte përfshirë edhe ish- polici i vrarë Santiago Malko.

Përveç këtij fakti bazuar edhe në përgjimet telefonike dhe pamjet e kamerave dyshohet se i arrestuari ka ndjekur lëvizjet e viktimës dhe ka informuar autorët duke ndihmuar organizimin e atentatit.

Sipas prokurorisë Blendi Teta së bashku me dy persona të tjerë, pasi janë takuar në një lokal në zonën e freskut, kanë ndjekur lëvizjet e ish-efektivit Malko, deri pak momente para ekzekutimit.

Nga verifikimet ka rezultuar se nga automjeti Skoda, natën e ngjarjes kishte zbritur Blendi Teta, dhe pas këtij momenti ai ka filluar të shfaqë shqetësim gjatë telefonatave që ka zhvilluar me bashkëjetuesen e tij, duke i thënë se ishte në kërkim për vrasje.

Për këtë arsye ndaj tij janë ngritur akuzat e moskallëzimit të krimit dhe veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës, të cilat nga vetë Teta dhe avokati mbrojtës janë mohuar.

/Ora News.tv/