Vrasja e Indrit Çelës, vetëdorëzohet në polici një prej vëllezërve Kusi

Vrasja e Indrit Çelës, vetëdorëzohet në polici

Vetëdorëzohet në policinë e Tiranës, Griseldo Kusi njëri prej dy personave të shpallur në kërkim për vrasjen e teknikut të kondicionerëve Indrit Çelaj në verën e këtij viti.

Burime të policisë bënë me dije se si pasojë e kontrolleve të kryera në mënyrë të vazhdueshme në vendet e dyshuara në fshatrat, në banesat e të afërmve, shtetasi Griseldo Kusi është paraqitur me avokatin e tij në drejtorinë e policisë.

Ai ka deklaruar se vetëdorëzohet për tu përballur me drejtësinë në lidhje me autorësinë e ngjarjes së ndodhur në 22 gusht ku mbeti i vrarë 26-vjeçari Indrit Çelaj. Në kërkim është shpallur edhe Albano Kusi, vëllai tjetër i Griseldos. Ndërsa gjatë muajve të fundit policia ka kryer dhjetëra kontrolle banesash me qëllim kapjen e tyre.

Tekniku i kondicionerëve, Indrit Çelaj u vra me armë zjarri mesditën e 22 gushtit pasi u konfliktua me vëllezërit Kusi. Shkak i debatit ishte montimi i një kondicioneri që viktima kishte kryer në vilën e familjes Kusi në Tiranë.   

Çelaj u qëllua me plumb në kokë për kondicionerin

Sipas dëshmive të mbledhura pas ngjarjes së 23 gushtit por edhe bazuar në pamjet e kamerave të sigurisë të marra në vendin e ngjarjes, i riu Çelaj është qëlluar me pistoletë në kokë nga shtetasi Griseldo Kusi.

Shkak për vrasjen u bë debati verbal mes djemve të pronarit të vilës dhe 26-vjeçarit për montimin e kondicionerit, i cili kishte rrjedhur ujë pasi ishte vënë në punë.

Autori i dyshuar është larguar së bashku me të vëllanë duke marrë me vete armën e krimit.

Pas vrasjes së Indrit Çelajt policia arrestoi babain e vëllezërve Kusi dhe katër persona të tjerë, përfshirë tre dëshmitarë të ngjarjes dhe një person tjetër, të cilit i ishte kërkuar të merrte përsipër autorësinë e ngjarjes për të shmangur përballjen e vëllezërve Kusi me drejtësinë.

Kush janë dy vëllezërit?

Dy vëllezërit Kusi janë përfshirë në ngjarje kriminale si vrasje e plagosje dhe tentativë vrasje.

Ata janë të përfshirë në ngjarje kriminale si vrasje, tentativë vrasje, plagosje. Ne 2010 Albano Kusi u ndalua nga policia për vrasjen e Shkëlqim Nozllit, për shkak të një borxhi të papaguar dhe pazare për blerjen e dy pistoletave ku ishin përfshirë dhe dy punonjës policie. Ndërsa Griseldo Kusi në 2011 u ndalua nga policia pasi tentoi të vriste shtetasin Maksud Hysi në Mnik të Tiranës. Një vit më pas në 2012 tentoi të vriste një 26 vjeçar. Ky i fundit u qëllua me 4 plumba por fatmirësisht vetëm njëri e kapi në shpatull. 

Indrit Çelaj u godit me plumb në kokë dhe vdiq në spital një ditë më pas.

EMISIONET