Vrasja e dyfishtë në Kurbin: Arrestohet autori kryesor, shkoi në spital privat të mjekohej. Në pranga dhe dy mjekë
Policia vuri në pranga të dyshuarin si autorin kryesor për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 30 maj 2020 në Kurbin, ku mbeti i vrarë Paulin Gjergji dhe Bujar Lika si dhe u plagos Kreshnik Tusha.
Arrestimi i Eduard Lamaj, 30 vjeç u bë mbrëmjen e 22 qershorit 2020 në kuadër operacionit “Klinika”
''U kap në një klinikë private në Tiranë, shtetasi E. L., 30 vjeç, banues në Laç, i cili gjatë kryerjes së krimit ku mbetën të vrarë shtetasit B. H.,37 vjeç dhe P. Gj.,53 vjeç, si dhe u plagos shtetasi K. T., 21 vjeç, pati shkëmbim zjarri dhe për pasojë u plagos në këmbë edhe ky shtetas, i cili po mjekohej ilegalisht në një klinikë private në Tiranë'', thuhet në njoftimin e policisë të publikuar 23 qershor 2020.
Lamaj akuzohet për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese, e kryer në bashkëpunim” dhe "Armëmbajtja pa leje”.
Si u arrestua Eduard Lamaj - Identifikimi i 30 vjeçarit si autor i vrasjes së dyfishtë është bërë pas analizave të ADN-së marrë nga gjurmët e gjakut të gjetura në vendin e ngjarjes. Identiteti i tij është përforcuar dhe nga pamjet e kamerave të sigurisë ku ai mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Ndërkohë policia po e mbante nën vëzhgim prej disa ditësh ndërsa ai qëndronte në banesën e të motrës në kryeqytet. Kur gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua u dërgua për mjekim në një klinikë private ku mjekohej prej ditësh. Atëherë agjentët vendosën të ndërhyjnë mbrëmjen e të hënës, 22 qershorit.
Arrestohen mjeket - Po gjatë operacionit u vunë në pranga dy mjekët në klinikën në të cilën mjekohej autori i vrasjes, konkretisht shtetasit Viktor Marku, 42 vjeç dhe Besim Lama, 46 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale "Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Lamaj pranon krimin - Lamaj është pyetur nga grupi hetimor para të cilëve ka pranuar autorësinë e ngjarjes. 30-vjeçari është shprehur se nuk ka patur për qëllim ti vrasë, por të dëmtonte hotelin, për shkak të një konflikti të vjetër me pronarin.
Tre ne kërkim- Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim dhe tre bashkëpunëtorët në vrasje. Operacioni u kodua "Klinika" dhe grupi i posaçëm hetimor perbehej me specialistë nga Drejtoria për Krimet Kundër Personit në Departamentin e Policisë Kriminale, specialistë të DVP Lezhë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin. Operacioni u bazua në informacionet e marra dhe u krye nga nga DVP Lezhë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.
Vrasja- Biznesmenët Bujar Lika (Hasani) dhe Paulin Gjergji (Markaj) u ekzekutuan jashë ambjenteve të një hoteli ne autostraden Milot-Mamurras prane fshatit Gjorm të Kurbinit.
Skena e krimit është fiksuar nga kamerat e sigurise të hotelit ku ndodhi ngjarje, teksa duket një person i maskuar që del nga nje automjet dhe qëllon në drejtim të dy përsonave. Në ato momente 37-vjeçari Bujar Lika (Hasani) ka hapur zjarr ndaj atentatorit, duke qëlluar me pistolete dy herë në këmbë.
Pse u arrestua Kreshnik Tusha- Veç Lamajt i ndaluar ka mbetur edhe 21-vjeçari Kreshnik Tusha. Kreshik Tusha nuk është I përfshirë në atentat, por për shkak të dëshmisë kontradiktore pranë oficerëve të policisë është mbajtur në arrest me burg deri në sqarimin e rrethanave.
