Senati italian ka kaluar një dekret të qeverisë për sigurinë e kufijve të vendit, duke i dhënë kështu votëbesimin qeverisë aktuale. Ligji i propozuar nga ministri i Brendshëm, Mateo Salvini, u kundërshtua fort nga partitë e majta dhe shoqatat humanitare.

Qeveria italiane ka marrë votëbesimin e Senatit, duke fituar betejën për një dekret vendimtar rreth emigrantëve dhe organizatave humanitare.

Votimi me 160 vota pro dhe 57 kundër ishte fitore personale për zëvendëskryeministrin Mateo Salvini, pasi i jep atij fuqi më të madhe vendimmarrëse për çështje si emigrantët apo azilkërkuesit.

Ndër të tjera, ligji për sigurinë rrit në 1 milion euro gjobën për anijet humanitare që sjellin emigrantë në ujërat territoriale të Italisë pa autorizimin përkatës, si edhe do të ndalohen kapitenët dhe anijet e tyre kur nuk u binden urdhrave.

Legjislacioni që hyn në fuqi menjëherë u miratua më herët nga dhoma e ulët legjislative.

Përmbajtja e ligjit u kundërshtua fort nga partitë e majta, grupet humanitare dhe Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.

Kundër votuan edhe disa senatorë të partisë në pushtet "5 Yjet" ndërsa "Forca Italia" refuzoi pjesëmarrjen.

Kritikëve iu bashkua edhe Kisha Katolike dhe shoqatat e bamirësisë, të cilat publikisht apeluan senatorët italianë të mos e kriminalizojnë solidaritetin njerëzor.

Vetë Salvini e përshëndeti rezultatin në rrjetet sociale, duke vlerësuar se dekreti i ri për sigurinë rrit financat dhe numrin e forcave policore dhe përmirëson kontrollin e kufijve të vendit.

/Ora News.tv/