500 mijë euro pasuri të paluajtshme dhe llogari bankare i janë sekuestruar një 72- vjeçari në Vlorë.  Pronat i përkasin shtetasit të identitikuar si Luan Beshaj, i cili në vitin 2014 është dënuar për trafik droge në Itali.

Pasuri të paluajtshme dhe llogari bankare me vlerë 500 mijë euro, që dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale e pastrimit të parave janë sekuestruar në Vlorë.

Burimet thanë se këto prona i përkasin shtetasit Luan Beshaj, sot 72 vjeç.

Ai ka qenë i dënuar në Itali në vitin 2014 për veprën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe dyshohet se këto pasuri i ka ngritur mbi bazën e këtyre veprimtarive të paligjshme.

Prej asaj kohe, Policia e Vlorës thotë se kishte nisur hetimet ndaj Beshajt dhe është dashur 5 vjet kohë për të marrë vendimin e gjykatës  për masën e sekuestros preventive.

Bëhet fjalë për 2 apartamente në Vlorë dhe Orikum,  1 pemtore, në Radhimë, 2 automjete dhe 2 llogari bankare.

Hetimi sipas njoftimit zyrtar është kryer nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës.

Ndërkohë veprimet e tjera proceduriale vijonë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.

Muajt e fundit, ka pasur disa operacione të policisë së shtetit për sekuestrimin e pasurive të vëna në rrugë kriminale.

/Ora News.tv/