Një gomone me 500 kilogram kanabis sativa u sekuestrua në Vlorë pasi në brigjet e plazhit të Vlorës u zbulua një makinë fuoristradë që dyshohet se e transportoi deri buzë detit. Agjensitë shqiptare shmangën një tentativë të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, por operacioni që ende vijon ende nuk ka çuar asnjë person në pranga. 

Një ngarkesë me të paktën rreth 500 kilogramë kanabis sativa u tentua të trafikohet nga Vlorë më një gomone 5 metra të gjatë dhe e pajisur me një motor 1500 kuajfuqi.

Mjeti lundrues, u gjet i braktisur mëngjesin e të hënës nga shërbimet policore të Vlorës dhe ato të Delta Forcë  në afërsi të vendit të quajtur Petroliferë, ndërsa më herët në zonën e plazhit të vjetër në Vlorë ishte sekuestruar një mjet tip fuoristradë i zhutur rreth 20 metra në det.

Lënda narkotike u sekuestrua, ndërsa ekspertët e policisë kanë nisur tashmë hetimet për personat e përfshirë në tentativën e trafikut.

Ora News ka mësuar se të paktën tre persona janë shoqëruar për tentativën e trafikut, ndërsa policia tregohet e rezervuar në dhënien e informacionit mbi operacionin ku marrin pjesë edhe forcat italiane të guardia di finanza.

Në gomone veç lëndës narkotike të dyshuar kanabis sativa u gjet dhe u sekuestrua po ashtu karburant, ushqime dhe ujë i pijshëm, çka forcon dyshimet se mjeti do të kryente udhëtim të gjatë.

Policia dhe Guardia di Finanza po kryejnë hetimet

Ndërkohë të dhëna të rëndësishme për hetimin mësohet se janë gjetur edhe në makinën me targa italiane BG 643 GX, të ngecur buzë detit.

Mësohet se grupi hetimor ka gjetur në mjetin e braktisur dokumentet e nje shtetasi shqiptar dhe dokumentet origjinale të mjetit. Por burimet nuk e vërtetojnë nesë i përkasin të njejtit person.

Njoftimi i Policisë

Më datë 12.02.2018, në lagjen ''1 Maji'', në zonën e quajtur plazhi i vjetër, shërbimet e Policisë së DVP.Vlorë, ato të Kufirit dhe Delta Forcë në vijim të kontrollit të vijës bregdetare të nisur mbrëmjen e djeshme nga toka dhe deti mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për një tentativë për trafik të lëndëve narkotike, kanë gjetur  të zhytur rreth 20 metra  brenda në det një mjet tip ''Jeep'', me targa të huaja.

Gjithashtu po në vijim të kontrollit për gjetjen e mjetit lundrues, në afërsi të vendit të quajtur Petroliferë nga shërbimet policore është gjetur një mjet lundrues tip gomone me gjatësi rreth 5 metra dhe me një sasi lënde narkotike në brendësi.

Grupi hetimor i ndodhur në vendngjarje po vijon punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje dhe identifikimin e kapjen e shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Për arsye hetimore nuk jepen më tepër të dhëna.




/Ora News.tv/