Policia e Vlorës u vu sërish në alarm ditën e sotme pasi një pako me eksploziv u gjet në një zyrë përkthimi përballë gjykatës së Vlorës.

Lënda shpërthyese ishte montuar në derën e zyrës së përkthimit, të Eleni dhe Orest Zhupa, e cila ndodhet  në katin e dytë të një ndërtese ku ndodhen disa zyra noterie dhe përkthimi.

Bëhet fjalë për 200 gramë eksploziv të mbështjellë në njëpako dhe e  lidhur me një telefon, e gatshme për tu shpërthyer në distancë.

Rreth orës 17:30 në Vlorë mbërritën forcat xheniere nga Tirana, të cilët bënë çaktivizimin e bombës. Eksplozivi do të merret në Tiranë për ekspertizë.

Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë përreth zonës, ndërsa janë shoqëruar disa persona, kryesisht punonjës të zyrave pranë që mund të ndihmojnë në  hetimin e ngjarjes.

Gazetarja Jerola Zijaj në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Vlora deklaroi:  Drejtoria e Policisë së Vlorës ende vijon të ruajë perimetrin e sigurisë në godinën ku u gjet një sasi lënde eksplozive. Sasia e ekslozivit ishte e ngjitur me një telefon, duke përbërë këtu një bombë me telekomandë. Kjo është një zonë shumë e populluar për shkak edhe të punimeve përgjatë bulevardit Vlorë-Skelë. Është një prej dy akseve më funksionale dhe me numrin më të madh të automjeteve që qarkullojnë. Janë sekuestruar kamerat e sigurisë pranë objekteve që ndodhen pranë zyrës ku është gjetur edhe sasia e eksplozivit.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes ndërsa policia ka urdhëruar evakuimin e të gjithë ndërtesës.



/Ora News.tv/