Vlora u trondit nga dy shpërthime tritoli në orët e para të mëngjesit, për të cilat dyshimet janë se ishin mesazhe kriminale. Tritol iu vu banesës së një tregtari 30 vjeçar dhe familjes së një personi që rezulton me precedentë penalë në Itali. Fatmirësisht nuk pati të lënduar, por vetem dëme materiale. Ngjarjet ndodhen në zona pranë dy institucioneve kryesore të Vlorës, Policisë e Bashkisë së qytetit bregdetar.

Dy shpërthime tritoli, që dyshohet se ishin “mesazhe” kriminale, tronditën Vlorën në orët e para të mëngjesit.

Ngjarja e parë u regjistrua rreth orës 02:30, në lagjen “Lirimi” pranë drejtorisë së Policisë Vendore.

Eksplozivi, sasia e të cilit ende nuk është përcaktuar, ishte vendosur në sheshpushimin  e katit të pestë të një pallati, para derës së banesës së Fatjon Batës, rreth 30 vjeç.

I riu mësohet se jetonte aty bashkë me të ëmën, Nadire Bata, e cila si pasojë të tronditjes dhe shokut që ka pësuar është dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin e Vlorës.

Ai rezulton pronar i një dyqani në zonën e Skelës dhe i paskeduar më herët nga policia e cila tashmë po i zhvillon hetimet në disa pista.

Shpërthimi ka qenë shumë i fortë dhe ka shkaktuar dëme të mëdha materiale në të tre kate të pallatit 5 katësh, siç tregojnë pamjet në video dhe banorët e pallatit.

Fqinji: U zgjuam, kur hymë pamë derën në tokë dhe xhami i banjos ishte thyer.Atë plakën nga trauma e morën në ambulancë. Djali i saj është shoqëruar. Shpërthimi ishte i fortë, unë isha në rroba dhe u ngrita përpjetë.

60 minuta më vonë një tjetër shpërthim u regjistrua në lagjen "Karabash", pranë Bashkisë së qytetit bregdetar.

Sasia e lëndës plasëse u hodh në oborrin e banesës së shtetasit G. Çobo, 69 vjeç.

Eksplozivi, dyshohet se ishte një mesazh për djalin e tij  42 vjeçar, person që rezulton me precedentë penalë në Itali.

Ai ishte arrestuar në fillim të vitit 2017 me qëllim ekstradimi në Itali ku kërkohej për trafik lëndës narkotike, por rezulton i lirë.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 03:30 minuta dhe është filmuar nga kamerat e sigurisë së banesës, ku siç mëson Ora News shihen dy persona që hedhin lëndën plasëse brenda oborrit.

Aktualisht hetimet për ngjarjet po zhvillohen të ndara, pasi mësohet se ende nuk ka prova që ti lidhin me njëra-tjetrën.

LEXO: Fqinji i të riut që iu vendos tritol në banesë: Shpërthimi i fortë, u ngrita nga krevati






/Ora News.tv/