Raporti i shumëpritur i Komisionit Evropian nëse Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave mund të publikohet më 2 ose 3 korrik. Kryeministri Haradinaj thotë se Kosova nesër e merr vesh a janë përmbushur detyrat e caktuara nga BE-ja, e që bëhet fjalë për atë se a e ka luftuar Kosova korrupsionin. Dje, ndërkaq është përfolur mundësia që BE-ja të dërgojë një mision të ri për në Kosovë për çështjen e vizave, por kjo është hedhur poshtë nga ministrja Dhurata Hoxha.

Këshilli për Çështje të Përgjithshme i Bashkimit Evropian të martën në Luksemburg ka aprovuar konkluzionet për zgjerimin dhe stabilizim-asocimin në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në një raport, që do ta kenë në dorë së shpejti edhe shefat e BE-së (Këshilli Evropian), sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, nuk thuhet asgjë e re. Në dokument po ashtu thuhet se janë në pritje të vlerësimit të Komisionit Evropian se a janë përmbushur kriteret.

Ndërkaq, Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, ka treguar se raporti tremujor që përmendet në konkluza është raporti i komisionit vlerësues, i cili kishte vizituar KS me 3-4 maj.

“Mu pas dy muajsh, 2-3 korrik komisioni bën publik vlerësimin. Edhe mund të shtyhet pak për shkak të konsultave. Me pastaj fillon procedura me dhjetë hapat siç ka paraqitur Grupi për Ballkan. 

Në ndërkohë Këshilli edhe mund të kërkoj ndonjë raport shtese por procedura nuk ndalet. Ajo mund te ndalet vetëm nëse nuk ka vullnet politik”, ka shkruar Rashiti.

Ai ka theksuar se pas vendimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë, Këshilli do të jetë më i pajtimit për vizat për Kosovën. 

“Natyrisht kjo nuk duhet aspak të na kënaqë. Kosova duhet të synojë atë që arritën Maqedonia e Shqipëria deri në 2025", ka shtuar ai.

Sidoqoftë, pas konkluzave nga Këshilli për Çështje të Përgjithshme i Bashkimit Evropian dje në Luksemburg, ku në raport thonë se Këshilli merr parasysh qëllimin e Komisionit për të paraqitur një vlerësim të referencës përfundimtare në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe fton Komisionin të raportojë nëse ky kusht po vazhdon të përmbushet, mediat raportuan se Brukseli do të dërgojë një mision të ri në Kosovë për vizat. 

Por, një gjë të tillë e ka mohuar ministrja Hoxha, në një prononcim për Gazetën Express.

Hoxha, po ashtu, ka parashikuar se është "çështje ditësh" kur Komisioni të dalë me rekomandimin pozitiv për vizat për Kosovën.

"Nga takimet dhe informatat tona zyrtare, por edhe nëpërmjet kanaleve jozyrtare, nuk përmendet asnjë mision tjetër faktmbledhës, nga ai që ka qenë në Kosovë në fillim të majit. Gjithashtu, nuk përmenden as kushte shtesë, që dikush mund të aludojë", ka thënë Hoxha për Express.

"Tanimë, me daljen e konkluzioneve të Këshillit, është hapur rruga që Komisioni Evropian të dalë me rekomandimin për liberalizimin e vizave për Kosovën", ka theksuar Hoxha.

Ministrja ka bërë të ditur se asnjëherë nuk ka qenë e planifikuar që rekomandimi të jepet në konkluzione, sepse është Komisioni institucioni që jep rekomandimin në këtë fazë, e jo Këshilli i Ministrave. 

"Gjatë takimeve që kam pasur sot në Bruksel, edhe me europarlamentarët, sidomos nga komiteti LIBE, tanimë është çështje ditësh, apo shumë shpejt Komisioni do të dalë me rekomandimin që ne besojmë do të jetë pozitiv, dhe do të hapë rrugë për hapat tjerë të procesit vendimmarrës në institucionet e BE-së", ka thënë Hoxha. /Express


/Ora News.tv/