"Vjedhje, drogë, trafikim emigrantësh", mafia shqiptare forcon pozitat në Francë

"Vjedhje, drogë, trafikim emigrantësh", mafia shqiptare

Mafia shqiptare po forcon pozitat e saj në Francë. Kështu shkruajnë mediat franceze, referuar një dokumenti të publikuar nga gazeta "Lë Figaro". Autoritetet druhen se me integrimin e Shqipërisë në BE, situata me vjedhet, trafikimin e drogave dhe kontrabandimin e emigrantëve vetëm sa do të përkeqësohet.

Mafia shqiptare është kthyer në shqetësim për policinë dhe autoritetet vendase.

Një dokument i publikuar nga gazeta "Lë Figaro", me të dhëna të marra nga Ministria franceze e Drejtësisë, thekson se kriminelët nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia përqendrohen kryesisht te vjedhjet, trafikimi i drogave të forta dhe kontrabandimi i emigrantëve.

Grupet e instaluara në Francë mendohet se kontrollojnë trafikun e heroinës në zonën kufitare me Zvicrën dhe kanë ndërtuar laboratoret e veta ku përpunojnë dhe prodhojnë lëndë narkotike.

Plaçkitjet po ashtu janë një problem serioz për forcat e xhandarmërisë franceze, dhe vetëm disa javë më parë u arrestua një grup i strukturuar me shqiptarë për grabitjen e banesave dhe sendeve me vlerë.

Ndërkohë, nuk mbeten pas edhe veprat që kanë të bëjnë me trafikimin e imigrantëve të paligjshëm, kryesisht drejt Britanisë së Madhe.

Autoritetet franceze druhen se aksesi që do të sigurojë integrimi i Shqipërisë në BE vetëm pritet të fuqizojë më tej pozitat e mafias shqiptare në vend.


EMISIONET