Vizita tek okulisti, detyrim për fëmijët që regjistrohen në klasën e parë

Vizita tek okulisti, detyrim për fëmijët që regjistrohen

Për regjistrimin në klasën e parë fëmijët duhet patjetër të bëjnë vizitë tek okulisti. Mjekët thonë se kontrolli është i nevojshëm për të parandaluar problemet me shikimin.

Vizita tek mjeku okulist është detyrim për të gjithë fëmijët që do të shkojnë në klasë të parë. Ndaj edhe në poliklinikat e vendit jo të pakta janë ditët me fluks vizitash.

Mjekja okuliste, Suzana Zhuka, thotë se kontrolli është  i rëndësishëm për të ekzaminuar në kohë problemet me shikimin.

Suzana Zhuka: Kjo është e domosdoshme për të parandaluar. Ne parandalojmë që të mos kemi probleme më vonë. Në këtë moment që bëjmë ekzaminimet dhe depistimet e fëmijëve, bëjmë dhe klasifikimin e grupmoshave. Grupmoshat parashkollore kanë më shumë probleme me shtrembërimin e këndit të syrit që ka të bëjë me muskujt e syve apo ka shumë probleme me fëmijët që kanë hipermetropi.

Por cilat janë disa prej shqetësimeve më të shpeshta që shfaqen tek të vegjlit sa i përket shikimit?

Suzana Zhuka: Hasim shumë raste me miopi dhe hipermetropi. Më të rralla janë rastet që kanë xhama me aks të përthyer të rrezeve të dritës.

Mjekja Zhuka këshillon prindërit që të tregojnë kujdes dhe të reduktojnë kohën e qëndrimit të fëmijëve para ekranit të telefonit, kompjuterit apo televizorit.

Suzana Zhuka: Rrezatimi i atyre në një distancë shumë të shkurtër është i dëmshëm. Këto aparatura duhet të jenë dhe me filtra mbrojtës që të mos dëmtojnë syrin e fëmijëve. Distanca e shkurtër e këtyre aparaturave ndikon dhe në shtrembërimin dhe devijimin e syve të fëmijëve. Prindërit duhet të jenë më autoritarë, ti lënë një orar të caktuar sipas grupmoshave, nuk mund të rrijë fëmija 12 orë me telefon, duhet të merren me aktivitet fizik.

Përveç raportit të mjekut okulist, prindërit do të duhet të dorëzojnë në shkollë për regjistrimin e fëmijëve certifikatën dhe vërtetimin e banimit.

EMISIONET