Sipas kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, BE-ja duhet të ndihet e turpëruar me vonesat në procesin e liberalizimit të vizave. Shefi i dhomës legjislative, duke u prononcuar për mediat ndërkombëtare, është shprehur gjithashtu kundër idesë së korigjimit të kufijve, duke thënë se serbët dhe shqiptarët duhet të jetojnë mbi hartën aktuale.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, në një intervistë për prestigjozen austriake ‘Der Standart’, ka deklaruar se BE duhet të ndihet e turpëruar në vonesat për liberalizimin e vizave, ndërsa në një linjë të kundërt me Presidentin Thaçi është shprehur negativisht mbi idenë e korigjimit të kufijve.

Shefi i dhomës legjislative ka ngritur pikëpyetje mbi vlerat që përfaqëson BE-ja në raport me lëvizjen e lirë.

Sa i përket pyetjes mbi ndryshimin e hartës së Ballkanit, ai thotë se serbët dhe shqiptarët duhet të jetojnë mbi kufijtë aktualë dhe se ndryshimi i tyre, mund të sjellë destabilitet në rajon.
Kadri Veseli: “Lidhur me vizat, unë mund të pyes: Ku është dinjiteti i BE-së dhe ku janë vlerat europiane? BE-ja është në krizë, por këtë çmim me sa duket po e paguan një vend pro-europian me 1.8 milionë banorë. Ndërkohë,ne jemi një vend sovran dhe nuk diskutojmë territorin apo sovranitetin. Serbët dhe shqiptarët mund të jetojnë bashkë mbi kufijtë ekzistues. Në rast të kundërt, mund të ketë spastrime etnike dhe stabiliteti i Ballkanit mund të vihet në pikëpyetje. Ne nuk duam që një vendim i yni të ketë impakt negativ.”

Më tej, Kryeparlamentari ka folur kundër idesë së krijimit të një farë ‘Republika Serbska’, duke parë impaktin që diçka e tillë ka krijuar në Bosnje.

Sipas tij, Kosova nuk do të jetë kurrë një eksperiment, pasi nuk mund të bëhet shaka me brezat e ardhshëm.

/Ora News.tv/