Virusi kthehet në Wuhan

Virusi kthehet në Wuhan

Një vatër e re infeksioni me koronavirus u regjistrua në qytetin kinez të Wuhan-it. Vatra e vogël është e para që kur qyteti u hap më 8 prill, pas një izolimi të gjatë nga pjesa tjetër e vendit. Autoritetet po ndjekin me shqetësim edhe zonën verilindore, ku dyshohet se zyrtarët vendorë kanë fshehur gjendjen reale në terren.

Prej dy ditësh, Wuhan-i, qyteti ku shpërtheu fillimisht koronavirusi po raporton raste të reja. Të hënën autoritetet raportuan një vatër të re infeksioni në Wuhan dhe një tjetër në provincën verilindore Jilin.

Në Wuhan u regjistruan pesë raste të hënën dhe autoritetet e shëndetësisë thanë se ato ishin të gjitha në një bllok banimi.

Për shkak të rënies së numrit të rasteve të reja në mbarë vendin, qeveritë lokale po heqin masat izoluese, por ekspertët dhe autoritetet shëndetësore po paralajmërojnë rikthim të rasteve pasi njerëzit po lejohen që të qarkullojnë lirshëm.

Vatra e vogël e infeksionit në Wuhan është e para që kur qyteti u hap më 8 prill. Raportohet se të gjitha rastet ishin asimptomatike.

Gjatë fundjavës u raportuan vatra të reja në qytetin Shulan të provincës Jilin e cila ndodhet pranë kufirit me Rusinë dhe me Korenë e Veriut. Në këtë provincë është dërguar dhe një ekip zyrtarësh dhe mjekësh nga Pekini për të hartuar rastin.

Shpërthimi i koronavirusit në provincën Jilin ka nxjerrë në pah një tjetër rast të fshehjes së gjendjes reale në terren nga zyrtarët vendorë nga frika e penalizmit apo largimit nga puna.

Pas përmirësimit të gjendjes në pjesën më të madhe të vendit, zyrtarët i kanë raportuar rastet e reja si të importuara, kryesisht nga Rusia, vend i cili po regjistron numër shumë të lartë infektimesh.

EMISIONET