Franca goditet nga përmbytjet, 9 të vdekur në dy javë
Jugu i Francës vijon të vuajë pasojat e shirave të dendur dhe përmbytjet që kanë shkaktuar ato. Dy banorë humbën jetën bashkë me 3 pjesëtarë të forcave të shpëtimit që po patrullonin zonën me helikopter, duke e çuar në 9 bilancin tragjik të dy javëve të fundit.
Përmbytjet e fundjavës në jug të Francës shkaktuan të dielën të paktën 5 viktima.
Një helikopter me tre pjesëtarët e ekuipazhit u rrëzua afër qytetit portual të Marsejës gjatë operacionit të shpëtimit.
Shkaqet e aksidentit po hetohen por paraprakisht mendohet se faktor ka qenë fushëpamja e kufizuar.
Mjeti ajror po fluturonte në rajonin e Varit për t'u ardhur në ndihmë banorëve të rivierës franceze, që po përjetojnë përmbytjet nga shirat e fortë.
Bilanci u rëndua më tej të dielën kur një bari që po kontrollonte kopenë e tij me makinë u mor me vete nga ujërat e rrëmbyer.
Trupi i një tjetër personi u gjet rreth 300 metra nga vendi ku ishte parë për herë të fundit.
Në këto dy javë, përmbytjet në rajonin e Varit e kanë çuar në 9 numrin total të viktimave.
Kushtet e këqija të motit kanë detyruar mbylljen e disa autostradave, ndërprerjen e energjisë dhe kanë pezulluar një numërsh aktivitetesh kulturore e sportive në të gjithë vendin.
Reshje shiu nga 12 në 15 centimetra parashikohen edhe për pjesën më të madhe të së hënës.