Në Gjykatën e Tiranës është mbajtur sërish sot seanca gjyqësore ku kryetari i PD-së, Lulzim Basha është paditur nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla për shpifje.

Në seancë ishte i pranishëm vetë Balla, ndërsa kryetari i PD-së nuk ishte por përfaqësohej nga Ivi Kaso dhe Gazmend Bardhi.

Avokati i Taulant Ballës bëri deklarimet në lidhje me konkluzionet që dhanë një seancë më parë avokatët e Bashës.

Ai pretendoi që deklarimet e Bashës në seancë plenare lidhur me paratë e Toyota Yaris janë shpifje dhe kërkoi dënimin e Bashës për veprën penale të shpifjes

Vetë Taulant Balla pretendoi në seancë që janë të pavërteta deklarimet  Bashës

Më shumë se sa i lidhur unë me të pandehurit e akuzuar është vetë Lulzim Basha" u shpreh ai dhe paraqiti foton ku Basha është në zyrën e tij me vëllanë e njërit prej të akuzuarve për trafik.

Por gjyqtari Gerd Hoxha nuk e pranoi ta merrte si provë.

Sipas Ballës me deklaratën në Kuvend Basha po i jepte sinjal grupit kriminal se ishin dekonspiruar.

"Për mua ai ka rrezikuar sigurinë kombëtare dhe i jam drejtuar porkurorisë e cila ka hapur një procedim për tregim të sekreteve hetimore. Minimalisht cdo kush nga ne është i detyruar që kur ka informacione të tilla para se ti bëjë publike ti denoncojë në prokurori. Nëse do dinte që unë isha i përfshirë të shkonte në prokurori dhe të tregojë burimin se nga e ka marrë informacionin?" u shpreh Balla informon gazetarja e Ora News, Keti Banushi.

 Gjyqtari u kërkoi avokatëve të Bashës të thonin  nga e kishte marrë vesh informacionin për 1. 5 milionë eurot e fshehura në Toyota.

" Sipas deklarimeve që ka bërë dhe vetë Basha informacionin e ka marrë nga burime të sigurta të hetimit që rezultoi i vërtetë dhe  nuk kemi shpifje" u shprehen avokatët duke nënvizuar se nuk do ta tregon emrin për asnjë arsye.

"Se kush ia ka dhënë informacionin zoti Basha ka dhënë sqarime në prokurori" informoi ai.

Gjykata do administrojë dhe një tjetër provë dhe seanca është caktuar më 18 dhjetor.

 

/Ora News.tv/